ISIS sulmon trupa SHBA në Siri: 2 ushtarë e 1 civil të vdekur

Dy trupa amerikane dhe një civil humbin jetën në një pritë të ISIS në Siri; Trump paralajmëron hakmarrje: Ky ishte sulm kundër SHBA-së.

Presidenti Donald Trump u zotua për “hakmarrje serioze” pas një pritë të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri, e cila rezultoi në vdekjen e dy ushtarëve amerikanë dhe një civil. Ky incident shënon viktimat e para amerikane që nga rënia e Bashar al-Assadit. Tre persona u plagosën në sulm, të cilin presidenti sirian Ahmed al-Sharaa e dënoi.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se “do të ketë hakmarrje shumë serioze”, pasi dy anëtarë të forcave të armatosura amerikane dhe një civil amerikan u vranë në një sulm në Siri. Uashingtoni fajësoi grupin Shteti Islamik për sulmin.

“Ky ishte një sulm i ISIS-it kundër SHBA-së dhe Sirisë, në një pjesë shumë të rrezikshme të Sirisë që ata nuk e kontrollojnë plotësisht,” tha Trump në një postim në rrjetet sociale. Ai iu drejtua gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se presidenti sirian Ahmed al-Sharaa ishte “i shkatërruar nga ajo që ndodhi” dhe se Siria po lufton përkrah forcave amerikane.

Trump shtoi se al-Sharaa ishte “jashtëzakonisht i zemëruar dhe i tronditur nga ky sulm”. Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi se tre ushtarë u plagosën të shtunën në një pritë të organizuar nga një anëtar i IS-it në Siri qendrore. Sulmuesi u neutralizua dhe u vra.

Ky sulm ndaj trupave amerikane në Siri ishte i pari me viktima që nga rënia e presidentit Bashar al-Assad një vit më parë. Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, sqaroi se viktima civile ishte një përkthyes amerikan dhe se sulmi kishte në shënjestër ushtarë të angazhuar në operacionet kundër terrorizmit në rajon.

Të shtënat ndodhën pranë Palmirës historike, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Sirisë, Nour al-Din al-Baba, tha se një sulmues i lidhur me ISIS-in hapi zjarr në portën e një posti ushtarak. Ai shtoi se autoritetet siriane po hetojnë nëse sulmuesi ishte anëtar i ISIS-it apo thjesht mbante ideologjinë e tij, duke mohuar raportimet se sulmuesi ishte pjesë e forcave të sigurisë siriane.

“SHBA do t’ju vrasë pa mëshirë”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, postoi në platformën X: “Le të dihet: nëse synoni amerikanët — kudo në botë — do ta kaloni pjesën tjetër të jetës tuaj të shkurtër e plot ankth duke e ditur se Shtetet e Bashkuara do t’ju ndjekin, do t’ju gjejnë dhe do t’ju vrasin pa mëshirë.”

SHBA-ja mban qindra trupa të dislokuara në Sirinë lindore si pjesë e koalicionit kundër ISIS-it. Uashingtoni nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Sirinë gjatë periudhës së Assadit, por marrëdhëniet janë përmirësuar që nga ardhja në pushtet e Al-Sharaa-s. Al-Sharaa vizitoi Uashingtonin muajin e kaluar, ku zhvilloi bisedime me Trump, duke shënuar vizitën e parë në Shtëpinë e Bardhë të një kreu shteti sirian që nga pavarësia e Sirisë në vitin 1946.

Scroll to Top