Protesta Opozita Tiranë: Bllokim Rrugësh, Njoftim Policia

Sot, opozita zhvillon “Foltorja” para Kryeministrisë, ndërsa policia lëshon njoftim për drejtuesit e automjeteve.

Policia ka marrë masa për protestën e opozitës, e cila do të zhvillohet sot para Kryeministrisë. “Foltore” e opozitës do të mbahet nga ora 18:00 deri në 20:00, periudhë gjatë së cilës disa rrugë do të bllokohen.

NJOFTIMI:

Në lidhje me tubimin e paralajmëruar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, që do të zhvillohet sot nga ora 18:00 deri në 20:00, para godinës së Kryeministrisë, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së tij.

Konkretisht:

  • Nga ora 15:00 e deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
  • Në varësi të dinamikës së tubimit, mund të vendosen kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore.

Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, Policia e Tiranës ka parashikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative.

Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të shmangin lëvizjen në akset që do të bllokohen dhe të përdorin itinerare alternative, në mënyrë që të mos pengohet lëvizja e lirë e pjesëmarrësve në tubim.

Scroll to Top