Lulzim Masha rrëfen atentatin pranë Liqenit Artificial në Tiranë

Biznesmeni Lulzim Masha rrëfen atentatin pranë kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë.

Në Gjykatën e Posaçme, gjatë seancës së radhës për dosjen ‘Plumbi i Artë’, pronari i një shkolle private në Tiranë, Lulzim Masha, ka dhënë detaje rreth atentatit të armatosur nga i cili shpëtoi. Ai përshkroi momentet e tmerrshme, duke theksuar se ngjarja ndodhi pa pasur asnjë konflikt apo borxh me askënd, dhe se fatmirësisht shpëtoi pa u lënduar.

Për këtë ngjarje akuzohet vrasësi me pagesë Skerdi Tasi, i cili tashmë është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë. Masha dëshmoi:

“Unë përdor një Benz ML prej shumë vitesh. Po shkoja si zakonisht drejt shkollës kur dëgjova 2-3-4 krisma. Nuk kuptova çfarë po ndodhte, por pashë nga pasqyra se një djalë i gjatë po mbushnin armën. E ktheva makinën dhe pyeta: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai iku me vrap. Lajmërova policinë pasi pashë gëzhojat në vendngjarje. Nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri apo ndonjë shqetësim. Zoti deshi që shpëtova dhe jam këtu sot për të dëshmuar. Siç thuhet, ‘jetgjati nuk bëhet, jetë e shkurtër’. Isha vetëm në makinë, plumbat ishin drejt krahut të shoferit, tek traversa e derës. Nuk e lidh dot këtë ngjarje me asgjë. Jam njeri i rregullt, nuk di kujt t’i vë emër, nuk njoh asnjë nga këta persona. Në trotuar, kur më qëlluan, ishin dy topografë që po masnin rrugën. Shumicën e rasteve shkoj me bashkëshorten në punë; atë ditë, si rrallë herë, isha vetëm.”

Masha gjithashtu shtoi se atentatori po e priste në një kthesë të fortë ku ngadalësohet shpejtësia. Ai theksoi se nuk i ka asnjë borxh askujt, as edhe një euro.

Në dëshminë e tij, Masha theksoi se Suel Çelën nuk e njeh dhe nuk e ka takuar asnjëherë, duke shtuar se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm në televizion.

“Atentatori po më priste tek një kthesë e fortë ku ngadalësohet shpejtësia. Ai po rrinte te trotuari ku ecin njerëzit për vrap, për sport. Nuk kam kujt as 1 euro borxh. Djali im, Adriani, ka bizneset e veta dhe një shkollë në Tetovë. Ditën e ngjarjes ai ishte këtu në Tiranë. Ai jeton mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai është shumë i rregullt, nuk ka vese. Në dijeninë time, ai nuk ka pasur asnjëherë konflikt apo borxh. Suel Çelën nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë, vetëm çfarë kam dëgjuar në TV.”

Më datë 18 janar 2022, 63-vjeçarit Lulzim Masha iu bë atentat teksa lëvizte me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz ML”. Në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri pistoletë. Administratori i shkollës “Wilson” kishte vetëm pak minuta që ishte larguar nga ambientet e punës dhe po zbriste i vetëm nga Kodrat e Liqenit Artificial. Pranë nënkalimit të Liqenit të Thatë, u qëllua me tre plumba. Dy prej plumbave kapën makinën e tij. Pas ngjarjes, autori u largua në këmbë.

Scroll to Top