Operacion antikorrupsion në Kosovë, arrestohen 6 zyrtarë dhe një ish-ministër
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar finalizimin me sukses të një operacioni të gjerë kundër shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.
Ky operacion, i realizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe institucione të tjera, ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë, të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme.
Sveçla sqaroi se arrestimet janë realizuar pas një hetimi disamujor, ku janë siguruar prova të forta për shpërdorime dhe korrupsion që lidhen me procesin e shpronësimit të pronave private.
Sipas tij, ky operacion është një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar një mesazh të qartë për ata që shkelin ligjin.
Në mesin e të dyshuarve janë:
- Kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, Jovica Mitrovic
- Zyrtarë nga avokatura: Nexhmije Karaqi, M.D. dhe Bedri Dibrani
- Eksperti i gjykatës Shaban Tërbunja
- Një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve
- Zyrtari i ATK-së Goran Llazic
- Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Ismaili. Ky i fundit ka qenë ministër në qeverinë e Kosovës në vitin 2013, nga radhët e AKR.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, personat e përfshirë kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Dyshohet se përmes korrupsionit kanë inicuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të realizuara gjatë viteve 2011–2015.
“Sot po i japim fund kohës kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar”, ka deklaruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, një sukses tjetër në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ai theksoi se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja e qytetarëve po sjellin rezultate konkrete drejt ndërtimit të një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të mbrojtur nga çdo formë e krimit.
