Hetim Autoriteti Konkurrencës për Transport Detar

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për tregun e transportit detar të udhëtarëve

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak mbi tregun e transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve në portet e Durrësit dhe Vlorës.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës, që nga qershori i këtij viti, është dorëzuar një ankesë elektronike, ku pretendohet se nga tre tragete që operonin më parë në portin e Vlorës, tani operon vetëm një kompani. Sipas ankimuesit, kjo kompani vendos çmime abuzive për udhëtarët.

Autoriteti i Konkurrencës fillimisht ka nisur një procedurë për monitorimin e tregut të transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve në portet e Durrësit dhe Vlorës. Ky monitorim përfshiu vëzhgime në terren pranë kompanive:

  • Ventouris Ferries SHPK (Duni Port Agency)
  • Adria Ferries SHPK
  • Euro Ferries SHPK

Gjithashtu, u kërkua informacion nga Autoriteti Portual Durrës, Autoriteti Portual Vlorë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga monitorimi, rezultoi se:

  • Në linjën Durrës – Ancona – Durrës operon vetëm kompania Adria SHPK me një traget. Ky operator nuk përballet me konkurrentë të drejtpërdrejtë, duke zotëruar 100% të tregut përkatës, çka tregon një treg shumë të përqendruar.
  • Në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë operon gjithashtu vetëm një operator me një traget. Ky operator nuk ka konkurrentë të drejtpërdrejtë dhe zotëron 100% të tregut përkatës, duke rezultuar në një treg po ashtu shumë të përqendruar.
  • Në linjën Durrës – Bari – Durrës, vihet re se operatorët aplikojnë tarifa pranë çmimit maksimal gjatë periudhave të sezonit të lartë. Diferencat mes tarifave të tyre janë jo domethënëse. Gjithashtu, ritmi i ndryshimit të çmimeve (rritje dhe ulje) midis operatorëve është i njëjtë dhe sinkron.

Duke marrë parasysh përqendrimin e lartë të tregut dhe mungesën e konkurrencës në linjat Vlorë – Brindisi – Vlorë dhe Durrës – Ancona – Durrës, si dhe sjelljen e operatorëve Adria Ferries (përfaqësues i AFH S.P.A), agjencisë Duni Shpk (përfaqësues i Venturis Ferries), të cilët operojnë në linjën Durrës – Bari – Durrës duke aplikuar çmime pranë maksimumit në sezonin e lartë dhe me ritme të njëjta ndryshimi, lind dyshimi i arsyeshëm se sjellja e këtyre kompanive në portet e Durrësit dhe Vlorës mund të përbëjë pengim, kufizim ose shtrembërim të konkurrencës në tregun përkatës.

Për sa më sipër, sipas Autoritetit të Konkurrencës, sjellja e operatorëve dhe agjencive detare si Adria Ferries (përfaqësues i AF Agency S.P.A), agjencia Duni Shpk (përfaqësues i Venturis Ferries) dhe Ionian Island SHPK (përfaqësues i European Seaways) me destinacion portet italiane, duke tregtuar bileta me çmime thuajse të njëjta dhe pranë tavanit të tarifave të miratuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, mund të jetë një veprim i koordinuar dhe të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të neneve 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Hetimi paraprak do të mbulojë periudhën kohore nga 1 Janar 2022 deri në 30 Qershor 2025.

Scroll to Top