Dhunë dhe tensione në Kuvend nga deputetët e PD; Endrit Shabani betohet mes flakadanëve dhe i përshëndet me puthje
Kuvendi i Shqipërisë u kthye në arenë përleshjeje mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe Gardistëve. Për 60 minuta, kaos, përplasje fizike dhe flakadanë mbizotëruan seancën e fundit plenare të këtij sesioni. Ligjvënësit demokratë kishin zënë karriget e kabinetit qeveritar për të protestuar kundër tre çështjeve: betimit të Endri Shabanit si Avokat Popullor, dosjes së AKSHI-t dhe çështjes së Belinda Ballukut.
Dy deputetët më aktivë në organizimin e këtij kaosi ishin Flamur Noka dhe Klevis Balliu, të cilët u përjashtuan nga seanca nga Kryeparlamentari Niko Peleshi. Pas përjashtimit të tyre, Peleshi kaloi menjëherë në votim me propozim të PS-së.
Para fillimit zyrtar të seancës plenare, opozitarët kishin hyrë në sallën e Kuvendit dhe disa prej tyre kishin zënë karriget e ministrave, mes tyre Flamur Noka, Elda Hoti, Klevis Balliu, Luan Baçi, Saimir Korreshi, Luçiano Boçi dhe Bledion Nallbati. Noka dhe Balliu kaluan mbi tavolina për të zënë karriget e ministrave dhe u përplasën fizikisht me punonjësit e Gardës, të cilët i zhvendosën deputetët opozitarë në njërën anë të karrigeve të kabinetit të ministrave. Flamur Noka tentoi të zinte karrigen e Niko Peleshit, por pas shumë përpjekjesh u ul në karrigen e zv/kryeministres, Belinda Balluku.
Forcat e Gardës u shtuan menjëherë pasi Sali Berisha urdhëroi deputetët e tij të ngjiteshin tek karriget e ministrave. Një grup tjetër i demokratëve ishte pozicionuar në foltoren e Kuvendit dhe po zhvillonte një betejë verbale me ministrat dhe deputetët socialistë. Opozita kërkoi në sallë zv/kryeministren, për të cilën SPAK kishte kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestim. Ata akuzuan mazhorancën se po mbronin Ergys Agasin, i shpallur në kërkim pas hetimeve për abuzimet me tenderët e AKSHI-t.
Gjatë përplasjeve, dëgjoheshin komente si: “Sillni Agasin këtu. Kam të dhëna që Balluku ia ka mbathur”, tha Berisha. “Niko ke mbyllur Belindën në kasafortë, na jep dokumentet”, tha Gazment Bardhi. Po ashtu, Bardhi iu drejtua Lamallarit: “Do ikësh me Belindën, mbylle gojën, mbylle gojën o shamia e qyrreve të Belindës. Mbylle gojën miush”.
Seanca plenare filloi me vonesë pas përplasjeve të vazhdueshme fizike mes Gardës dhe opozitarëve. Kur kryeparlamentari Niko Peleshi vendosi të vijonte punimet, opozita nisi “betejën” me flakadanë. Belind Këlliçi ndez flakadan, ndërsa pjesa tjetër e opozitarëve hodhën në drejtim të ministrave dhe Peleshit ujë, shishe plastike, kartonë votimi e deri te mikrofonët e sallës, të cilët i shkulën. Deputetët e Partisë së Lirisë dhe Partisë Mundësia nuk iu bashkuan këtij kaosi.
Në këtë mori përplasjesh, bëri betimin edhe Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani. Ai iu përgjigj protestës së opozitës kundër tij me një përshëndetje me puthje dhe u largua nga salla. Klevis Balliu i tha “Prostitutë” dhe u përjashtua nga Niko Peleshi, i cili dha 5 minuta pushim.
Pas kthimit në sallë, opozita vijoi përplasjen, duke rrëzuar edhe karrigen e Belinda Ballukut. Flakadanë vijuan të ndizeshin në sallë nga deputetë të tjerë si Albana Vokshi apo Fidel Kreka. Shefi i Gardës ndërhyri për t’i marrë flakadanin Krekës, por u përball me përplasje nga deputetët e opozitës, mes tyre Flamur Noka, të cilit i derdhi ujë në kokë. Situata u tensionua aq shumë sa shefi i gardës u ngjit për t’u përplasur me Nokën, por ndërhyrja e kolegëveNormalizoi situatën. Flamur Noka u përjashtua nga salla dhe më pas, me propozim të PS-së, u kalua menjëherë në votim, ku të gjitha projektligjet e ditës u miratuan vetëm me votat e mazhorancës.
Pas përfundimit të Kuvendit, Taulant Balla u shpreh: “Sa herë që Kosova ka një festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri”.
Kjo ishte seanca e fundit për sesionin parlamentar. Megjithatë, sipas Gazment Bardhit, demokratët pritet të kërkojnë një seancë të jashtëzakonshme për të kaluar në votim kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Kërkesa e PS-së
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka dërguar një kërkesë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke i kërkuar marrjen e masave disiplinore për 29 deputetë të opozitës.
- Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshin, Ledina Alollin dhe Denisa Vata kërkohet 60 ditë përjashtim nga aktivitetet parlamentare, pasi kanë futur dhe përdorur mjete piroteknike dhe tymuese në parlament (flakadanë).
- Deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu, përjashtuar gjatë seancës për shkak të kaosit dhe gjuhës joparlamentare, kërkohet të përjashtohen për 60 ditë.
- Për deputeten Elda Hoti kërkohet përjashtim 30 ditësh për dëmtimin e pajisjeve (shkulja e mikrofonave) dhe goditjen e punonjësve të Gardës.
- Për 30 ditë kërkohet përjashtimi edhe i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, për të cilët mazhoranca thotë se penguan zhvillimin e rregullt të seancës dhe thyen Kodin e Sjelljes me gjuhën e përdorur.
- Për 10 ditë kërkohet përjashtimi i deputetëve Esat Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledion Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi, për pengim të seancës, shkaktim kaosi dhe dhunim të punonjësve të Gardës.
- Me 10 ditë kërkohet dhe përjashtimi i deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti, për pengim të zhvillimit të seancës parlamentare.
Mazhoranca konsideron se ky skenar ishte i organizuar nga drejtues të Partisë Demokratike. Ndërmjet episodeve të tjera përmenden ndezja e flakadanëve, hedhja e ujit dhe shisheve, prishja e mikrofonëve, zaptimi i karrigeve të ministrave dhe përdorimi i gjuhës joparlamentare.
Reagimi i Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi
Pas seancës, Peleshi theksoi se interesi i shtetit prevalon mbi interesin politik dhe se deputetët duhet të mbajnë përgjegjësi për sjelljet që cënojnë dinjitetin dhe funksionimin e Kuvendit. Ai shtoi se asnjë parti nuk mund të pretendojë se përfaqëson të vërtetën e vetme dhe se të gjithë duhet të shërbejnë për qytetarët. Peleshi shprehu mirënjohjen për punonjësit e Gardës dhe shërbimeve të Kuvendit.
Në deklaratën e tij, Peleshi tha: “Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një vend debatesh, por institucioni ku fjala dhe sjelljet e deputetëve duhet të mbajnë e dëshmojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes. Çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cënon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve. Detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos. Mbi interesin politik qëndron interesi i shtetit. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe asnjë ndarje partiake nuk duhet të na bëjë të harrojmë se të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë. Institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake. Ruajtja, forcimi dhe respektimi i tyre është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve tona politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë. Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët. Mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës.”
Reagimi i Ministrit Toni Gogu
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka reaguar pas seancës, duke theksuar se mazhoranca ka përmbushur detyrimin kushtetues për të votuar ligje në shërbim të qytetarëve, pavarësisht përpjekjeve për bllokim.
Ai kritikoi ashpër sjelljen e opozitës, duke theksuar se seanca nuk u shoqërua me debate parlamentare apo përplasje argumentesh, por me akte dhune dhe kaosi. Ai nënvizoi se mazhoranca ka qenë e qartë që në fillim të sesionit se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë alternativë politike. Projektligjet u miratuan sepse shteti nuk mund të ndalet përballë papërgjegjshmërisë.
“Ne kemi zgjedhur ligjet, punën dhe shërbimin për qytetarët. Ata kanë zgjedhur sherrin në ekran, ne zgjedhim vendimet për shqiptarët”, tha ai, duke shtuar se Parlamenti është shtëpia e demokracisë dhe nuk mund të kthehet në skenë dhune.
