CNN, BBC pasqyrojnë kaosin në Kuvend: Opozita proteston kundër qeverisjes socialiste
Tensionet dhe kaosi i shkaktuar të enjten në Kuvendin e Shqipërisë vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Mediat e njohura si CNN, BBC dhe Al Jazeera kanë raportuar gjerësisht mbi përplasjet politike dhe akuzat e forta të ngritura nga opozita kundër zv/kryeministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama.
Media amerikane CNN ka publikuar pamje nga seanca e zhvilluar të enjten, ku deputetë të opozitës protestuan duke shkaktuar kaos në sallën e parlamentit. Ata ndezën flakadanë dhe u përplasën fizikisht me ligjvënësit socialistë.
CNN shkruan: “Një protestë shpërtheu brenda parlamentit të Shqipërisë, ndërsa ligjvënësit e opozitës u përleshën për akuzat për korrupsion kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila i ka cilësuar akuzat si ‘shpifje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra’.”
Edhe media britanike BBC i ka bërë jehonë kaosit të seancës plenare, duke shpërndarë pamje nga përplasjet e ashpra në Kuvend. BBC thekson se ligjvënësit e opozitës po protestonin kundër qeverisjes së Partisë Socialiste.
BBC raporton: “Politikanët e opozitës në Shqipëri ndezën tym nga flakadanët dhe një zjarr brenda parlamentit, në përpjekje për të ndalur votimin e dhomës për buxhetin e vitit 2024. Ligjvënësit e opozitës po protestonin kundër asaj që ata e quajtën një sundim gjithnjë e më autoritar nga partia socialiste në pushtet.”
Ndërkohë, Al Jazeera ka theksuar se parlamenti shqiptar dëshmoi skena kaotike, ku votimi për Avokatin e Popullit u kthye në një protestë nga politikanët e opozitës.
Al Jazeera shkruan: “Shpërthime dhe përleshje në debatin parlamentar të Shqipërisë. Në parlamentin e Shqipërisë pati skena kaotike, ku votimi për Avokatin e ardhshëm të Popullit për të drejtat e njeriut në vend u shndërrua në një protestë nga politikanët e opozitës për shkak të dyshimeve për mashtrim zgjedhor dhe korrupsion.”
