Zgjedhjet Kosovë: 28 kandidatë me raste penale

Zgjedhjet në Kosovë: 28 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale, sipas IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë të ditur se 28 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në raste penale, ndërsa numri më i lartë i tyre vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Raporti i IKD-së, i cili analizoi listat e kandidatëve për deputetë, tregoi se nga 1.179 kandidatë gjithsej, përveç 28 të përfshirë në vepra penale, janë edhe 19 kandidatë me aktakuza aktive. Gjithashtu, 12 kandidatë për deputetë rezultojnë të kenë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë në të kaluarën.

Sipas raportit, Lëvizja Vetëvendosje ka 13 kandidatë të përfshirë në raste penale, që përfaqëson 11.81% të listës së saj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka gjashtë kandidatë (5.45%), Nisma Socialdemokrate tre (2.72%), Partia Demokratike e Kosovës dy (1.81%), ndërsa Lista Serbe ka gjithashtu dy kandidatë (6.06%). Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partia turke KDTP kanë nga një kandidat të përfshirë në raste penale (0.9% dhe 6.25% respektivisht).

IKD thekson se veprat penale më të shpeshta në të cilat janë përfshirë kandidatët lidhen me kapitullin e korrupsionit zyrtar, veprat kundër detyrës zyrtare, si dhe vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas Ligjit për zgjedhje, një personi i kufizohet e drejta për të kandiduar për deputet vetëm nëse është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim prej një viti e më shumë në tre vitet e fundit. Pavarësisht kësaj, IKD ka lobuar vazhdimisht për pastrimin e listave nga persona që kanë probleme me ligjin, edhe në rastin e dyshimeve për përfshirje në vepra penale, aktakuza apo dënime të cilat nuk bien nën kufizimet ligjore, me qëllim forcimin e integritetit institucional dhe personal të përfaqësuesve.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit janë certifikuar 24 subjekte politike. IKD vlerëson se, krahasuar me zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, është shënuar një regres sa i përket numrit të kandidatëve të përfshirë në raste penale, atyre me dënime penale dhe numrit të subjekteve politike që kanë përfshirë në listat e tyre persona me probleme ligjore.

Scroll to Top