BE fusin Rusinë në listën e rrezikut; Bllokime për rusët

Bashkimi Evropian ka shtuar Rusinë në një listë të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke u renditur kështu pranë vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani. Si pasojë e këtij vendimi, bankat në Serbi dhe Armeni kanë filluar të bllokojnë llogaritë dhe transfertat e shtetasve rusë.

Pas përfshirjes së Rusisë në listën e BE-së për vendet me rrezik të lartë të pastrimit të parave, institucionet bankare në disa shtete kanë filluar të kufizojnë transaksionet për qytetarët rusë. Sipas RBC, duke cituar avokatë dhe konsulentë ndërkombëtarë biznesi, raporton The Moscow Times, bankat në Armeni dhe Serbi po refuzojnë rusët në hapjen e llogarive të reja dhe kryerjen e transaksioneve.

Në disa raste, këto shërbime pezullohen pa shpjegime të detajuara, duke u justifikuar me “kërkesa të brendshme të përputhshmërisë”. Gjithashtu, po bllokohen edhe llogaritë e hapura më parë, edhe për rusët që posedojnë leje qëndrimi, biznesi ose qëndrimi afatgjatë në këto vende.

Bankat në Kazakistan, Taxhikistan dhe Oman gjithashtu kanë filluar të aplikojnë kontrolle më të thelluara mbi transaksionet, sipas firmës ligjore O2 Consulting. Këto masa të reja prekin si individët ashtu edhe personat juridikë që kanë lidhje me Rusinë. Klientët po i nënshtrohen kërkesave të shtuara për të konfirmuar origjinën e fondeve, qëllimin ekonomik të transferimit dhe statusin e tyre tatimor.

Ekspertët tregojnë se rusëve po u pamundësohet, ndër të tjera, edhe transferimi i parave midis llogarive të tyre personale. Në disa situacione, fondet janë ngrirë për një periudhë të pacaktuar.

Avokatët shpjegojnë se shtrëngimi i këtyre kërkesave dhe kontrolleve vjen si pasojë e presionit në rritje nga rregullatorët ndërkombëtarë dhe bankat korrespondente. Institucionet financiare druhen nga sanksionet dytësore dhe preferojnë të minimizojnë çdo rrezik të mundshëm paraprakisht.

Në fillim të dhjetorit, Bashkimi Evropian e shtoi Rusinë në listën e vendeve me rrezik të lartë për pastrim parash dhe financim terrorizmi. Kjo listë është homologe evropiane e listës së zezë të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), e cila përfshin vende si Irani, Mianmari dhe Koreja e Veriut.

Scroll to Top