Protesta e opozitës: Ambasada jep 6 këshilla për amerikanët që jetojnë në Tiranë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, lidhur me një protestë të paralajmëruar për mbrëmjen e së hënës, më 22 dhjetor 2025, në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, protesta pritet të nisë në orën 18:00 dhe do të zhvillohet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit pritet të mblidhen në këtë zonë, ndërsa autoritetet parashikojnë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit. Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime edhe në zona të tjera të Tiranës, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi në lëvizje.
Për këtë arsye, personeli i Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë zonën e protestës.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit për informacionet më të fundit.
Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt.
Veprime për t’u ndërmarrë:
- Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje.
- Të jenë të vetëdijshëm për rrethinën tuaj.
- Të kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike.
- Të ndiqni mediat lokale.
- Të keni gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje.
- Të mbani një profil të ulët.
