SHBA-të do të ofrojnë 3,000 dollarë për emigrantët që largohen vullnetarisht para Vitit të Ri
Administrata amerikane ka vendosur të rrisë shumën e përfitimit për emigrantët që ndodhen në vend ilegalisht dhe dëshirojnë të largohen vullnetarisht. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, bëri të ditur në rrjetin social “X” se pagesa arrin në 3,000 dollarë dhe vlen për ata që aplikojnë për procedurat e deportimit para fundit të këtij viti.
“Taksapaguesit amerikanë trefishuan nxitjen për emigrantët që largohen vullnetarisht nga vendi gjatë sezonit të festave. Emigrantët që do të deportohen vetë duke aplikuar përmes platformës CBP Home deri në fund të vitit do të mund të marrin një bonus prej 3,000 dollarësh,” shkroi ajo në X.
Përveç shumës monetare, si më parë, qeveria amerikane do të mbulojë edhe kostot e biletave të avionit. Gjithashtu, do të hiqen gjobat dhe sanksionet e tjera që lidhen me shkeljet e ligjeve të imigracionit.
Që nga janari i këtij viti, 1.9 milionë emigrantë kanë përfituar nga mundësia e deportimit vullnetar në Shtetet e Bashkuara.
