Shpërthim në Moskë: 3 të vdekur, mes tyre 2 policë

Shpërthim në Moskë, tre persona humbin jetën, mes tyre dy efektivë policie

Tre persona, përfshirë dy oficerë të policisë rrugore, kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në Moskë. Këtë e kanë bërë të ditur autoritetet ruse.

Sipas Komitetit Hetues të Rusisë, dy oficerë policie vunë re një person të dyshimtë pranë një automjeti policie në rrugën Yeletskaya. Kur iu afruan për ta ndaluar, u aktivizua një pajisje shpërthyese, duke shkaktuar shpërthimin fatal.

Dy oficerët e policisë ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa një person tjetër që ndodhej pranë vendngjarjes humbi gjithashtu jetën.

Ky incident ndodh vetëm dy ditë pas një tjetër sulmi të rëndë në kryeqytetin rus, ku një gjeneral i lartë u vra nga një makinë-bombë. Gjenerallejtnant Fanil Sarvarov humbi jetën pasi u aktivizua një pajisje shpërthyese e vendosur nën automjetin e tij.

Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, deklaroi në Telegram se autoritetet kanë hapur një çështje penale dhe po hetojnë rrethanat e shpërthimit, i cili cilësohet si përpjekje për vrasjen e oficerëve të policisë së trafikut.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar përgjegjësit.

Scroll to Top