Shqiptar dënohet 5 vite burg në Francë për trafik kokaine

40-vjeçar shqiptar dënohet me 5 vite burg në Francë për trafik kokaine

Një 40-vjeçar me origjinë shqiptare është dënuar me pesë vjet burgim nga drejtësia franceze, pasi u kap me rreth 38.5 kilogramë kokainë.

Ngjarja ka ndodhur më 11 nëntor 2025, kur policia franceze ndaloi shtetasin shqiptar në Rrugën Kombëtare 9, pranë qytetit të Béziers. Ai udhëtonte i vetëm në një furgon kampingu, të cilin e kishte marrë me qira në Gjermani.

Gjatë kontrollit të automjetit, u zbuluan 35 pako të fshehura nën dyshekun e çatisë së hapur të furgonit, të cilat përmbanin kokainë. Prokurori i Béziers, Arnaud Faugère, tha se vlera e lëndës narkotike të sekuestruar kapte shifrën mbi 1.5 milionë euro.

Megjithëse në paraburgim, 40-vjeçari shqiptar mohoi akuzat për posedim dhe transportim të lëndëve narkotike. Ai pretendoi se automjeti, me të cilin udhëtonte nga Spanja drejt Gjermanisë, mund të jetë ngarkuar pa dijeninë e tij.

I pandehuri u paraqit para prokurorisë publike të Béziers më 14 nëntor 2025, ku u akuzua për transportim, posedim, marrje dhe importim të narkotikëve, si dhe për veprën penale doganore të posedimit të mallrave të rrezikshme për shëndetin publik.

Gjykata Penale e Béziers, më 22 dhjetor 2025, e dënoi atë me 5 vjet burgim, duke urdhëruar vazhdimin e paraburgimit. Gjithashtu, ai u përjashtua nga territori francez për pesë vjet dhe u vendos konfiskimi i sendeve të sekuestruara.

Shtetasi shqiptar nuk kishte pasur më parë dënime nga sistemi francez i drejtësisë.

Scroll to Top