Kursi Euro-Lek arrin minimum të ri historik para festave të fundvitit
Kursi i këmbimit Euro-Lek vijon të shfaqë tendenca të mëtejshme në rënie gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, sot Euro u këmbye me 96.46 lekë, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se në ditët e fundit ka pasur një ofertë të shtuar të valutës së huaj në treg, një fenomen që përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezionale. Në veçanti, kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell flukse më të larta të monedhës europiane.
Rënia vjetore e kursit vijon të jetë në nivele më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton të ketë rënë me 2.1%. Megjithatë, ecuria më e stabilizuar e kursit gjatë këtij viti i detyrohet më shumë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë sesa forcave të tregut.
Nga informacionet e deritanishme, rezulton se Banka Qendrore ka kryer blerje të mëdha të valutës edhe gjatë vitit 2025. Deri në fund të 9-mujorit, këto blerje kishin vlerën e rreth 800 milionë eurove, ndërsa për vitin 2024 u blenë 933 milionë euro të tjera. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të monedhës europiane me siguri do të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në raport me Lekun.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë planifikon të rrisë më tej blerjet e valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025. Shumat e mësipërme nuk përfshijnë blerjet e mundshme për qëllime të ndërhyrjes në tregun valutor, në funksion të stabilizimit të tregut apo objektivave të politikës monetare.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë argumenton se synimi i ndërhyrjeve të saj nuk ka qenë mbrojtja e ndonjë niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por amortizimi i shpejtësisë së ndodhjes së këtij fenomeni. Përmbushja e këtij objektivi u gjykua e dobishme, sepse ngushtësia e tregut të brendshëm valutor ishte premisë për një volatilitet të shtuar të kursit dhe – në raste ekstreme – potencialisht edhe për shmangie të tij nga vlerat themelore. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ndërhyrje nuk cenon regjimin valutor të kursit të lirë të aplikuar në Shqipëri.
Një ndikim shtesë në forcimin e Lekut edhe këtë vit ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë shqiptare, e karakterizuar nga një suficit i gjerë buxhetor. Për 10-mujorin 2025, ky suficit arriti vlerën e pothuajse 49 miliardë lekëve. Siç ka ndodhur rregullisht në vitet e fundit, pritet që ky suficit të shpenzohet plotësisht në ditët e fundit të dhjetorit. Kjo mund të sjellë një ringritje të përkohshme të kursit të Euros gjatë ditëve në vazhdim.
