Udhëtimet e Fundvitit nga Shqipëria: Destinacionet dhe Çmimet

Nga rajoni në shtëpinë e babagjyshit në Finlandë, ku do të arratisen shqiptarët këtë fundvit?

Është sezoni i udhëtimeve të fundvitit, ku agjencitë turistike ofrojnë ofertat e fundit dhe aeroportet mbushen me njerëz. Shqiptarët këtë vit po zgjedhin një kombinim mes relaksit të shpejtë, vizitave në kryeqytete evropiane dhe destinacioneve më të largëta e luksoze si Dubai, Kroacia dhe Mali i Zi. Paketate turistike janë aleati kryesor për familjet dhe grupet që kërkojnë një udhëtim pa surpriza.

Të dhënat nga agjencitë turistike tregojnë se kërkesa për Krishtlindje dhe Vit të Ri është e lidhur ngushtë me paketat e organizuara. Udhëtime 3-4 ditore drejt kryeqyteteve evropiane kushtojnë nga rreth 345 euro deri në 550 euro për person, ndërsa ofertat më luksoze drejt Lindjes së Mesme arrijnë në 900 euro për person, duke përfshirë fluturimin dhe akomodimin në hotele 4-5 yje.

Destinacionet tradicionale si Vjena, Parisi dhe qytetet e mëdha të Evropës Perëndimore mbeten të preferuara për tregjet e Krishtlindjeve dhe festat publike. Megjithatë, një pjesë e shqiptarëve po zgjedhin qytete më të afërta me atmosferë të veçantë. Stambolli mbetet një destinacion i aksesueshëm dhe me ofertë të pasur kulturore. Ndërkohë, destinacionet bregdetare të Ballkanit si Budva, Kotor apo Dubrovnik po propozohen si alternativa për ata që duan një fundvit me më pak udhëtime ajrore dhe më shumë natyrë, darka tradicionale dhe evente lokale.

Tendenca këtë vit

Shqiptarët po lëvizin drejt përvojave unike dimërore, duke synuar jo vetëm qytete të bukura, por edhe vende ku ndjenja e festës është pjesë e natyrës autentike. Ky trend pritet të forcohet edhe në sezonet e ardhshme.

Paketat drejt Lapland për periudhën e festave janë dukshëm më të shtrenjta. Ato, që përfshijnë fluturimet, akomodimin, eksplorimin e zonës dhe darka festive, nisin nga rreth 1,000 euro për person. Paketate më luksoze apo me më shumë aktivitete tematike mund të arrijnë deri në 2,000 euro për person, duke përfshirë netë shtesë, transferta dhe guidë për shikimin e dritave veriore (Aurora Borealis).

Këto kosto i afrohen atyre të destinacioneve luksoze si Dubai apo Oman, Singapor, Maldive. Megjithatë, për shumë udhëtarë shqiptarë, këto shifra justifikohen nga përvoja “magjike” e dimrit arktik.

Një tjetër destinacion popullor këtë vit ishte Kajro, sidomos pas reklamimit për hapjen e Muzeut të Civilizimeve të lashta Egjiptiane. Paketat për Egjipt fillojnë nga 650 euro për person me 4 netë akomodim.

Kostoja

Kostoja mesatare e paketave pasqyron sjelljen e konsumatorëve. Një “city break” 3-4 netësh në një qytet evropian me fluturim dhe hotel 3-4 yje kushton rreth 350–550 euro për person. Paketat më të shkurtuara jashtë Evropës ose me akomodim më të mirë (4-5 yje dhe evente speciale për Vit të Ri) mund të arrijnë 800–900 euro për person.

Shërbimet “all inclusive” dhe paketat drejt destinacioneve si Dubai, që kërkojnë fluturime më të gjata dhe shërbime ekskluzive për ndërrimin e viteve, shpjegojnë gamën më të lartë të çmimeve.

Nga ana tjetër, ofertat më ekonomike për udhëtime rajonale, si paketat 2-3 ditore në bregdetin e Malit të Zi ose itineraret Dubrovnik–Budva me autobus dhe hotel, kushtojnë rreth 100–200 euro. Këto alternativa janë për familjet me buxhete më të kufizuara.

Këto nivele çmimesh përfshijnë koston e fluturimeve, akomodimit dhe presionin mbi shërbimet gjatë periudhave të pikut.

Një ndryshim i dukshëm krahasuar me vitet e para pas pandemisë është mënyra e prenotimit. Konsumatorët shqiptarë kërkojnë më shumë paketa “të mbyllura” me asistencë lokale, guida në shqip dhe transferime të sigurta. Ndërkohë, një pjesë e udhëtimeve bëhen me fluturime “low-cost” të kombinuara me akomodim të rezervuar vetë dhe guida të asistuara nga mjete si ChatGPT.

Oferta promocionale nga linjat “low-cost” dhe shitjet sezonale si “Black Friday” kanë ulur koston e fluturimeve për periudha të caktuara. Megjithatë, për periudhën kryesore të festave (rreth 24 dhjetorit deri në 2 janar), disponueshmëria e ulët dhe shtesat për bagazhe/transferime shpesh e rrisin koston totale.

Ky efekt ka dy pasoja: disa udhëtarë që duan të kursejnë zgjedhin destinacione më të afërta dhe paketa me autobus, ndërsa ata që kërkojnë një përvojë festive me aktivitete të organizuara zgjedhin paketa më të shtrenjta me darkë gala dhe evente speciale.

Luks në rritje

Si pasojë e këtyre faktorëve, agjencitë në kryeqytet parashikojnë një rritje të udhëtimeve rajonale dhe të arratisjeve të organizuara për datat 25-28 dhjetor, pasi e premtja është marrë shpesh si ditë pushimi për të përfituar një fundjavë të gjatë.

Agjencitë turistike shqiptare vënë re një diversitet në kërkesa, duke filluar nga familjarët që duan paketa të sigurta, te çiftet që kërkojnë arratisje romantike. Kjo do të diktojë ofertën, duke përfshirë më shumë paketa me guida në shqip, oferta për grupe dhe paketim eventesh të tjera si koncerte dhe darka speciale.

Në aspektin ekonomik, rritja e kërkesës për paketa me fluturim dhe akomodim do të sjellë fluks parash drejt operatorëve turistikë lokalë dhe shërbimeve të lidhura, por do të rrisë edhe presionin mbi disponueshmërinë dhe çmimet gjatë periudhave të pikut.

Për natën e ndërrimit të viteve, operatorët raportojnë se shumica e kërkesave janë brenda vendit. Arratisjet preferohen nga data 1 janari e në vijim. Kërkesat variojnë nga ski në rajon për 250 euro për person, deri te plazhi në Maldive apo Dubai për paketa mbi 1300 euro për person.

Scroll to Top