Parashikimi i motit për ditën e enjte
Dita e enjte do të karakterizohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme në vendin tonë.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura. Priten reshje shiu të herëpashershme, me intensitet të ulët e lokalisht mesatar, në pjesën më të madhe të territorit nga orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes, hera-herës me shtrëngata afatshkurtra.
Gjatë ditës, reshjet do të jenë të herëpashershme, me intensitet të ulët dhe të karakterit lokal.
Në Alpe dhe në lartësitë 700-800 metra në verilindje dhe 900 metra në juglindje, parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht mesatar.
Mjegull e dendur/mjegullinë do të paraqitet përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit, si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.
Era do të fryjë me drejtim verilindje-juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/sek. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, era mund të arrijë shpejtësi deri në 15 m/s.
Deti do të jetë me valëzim të forcës 2-4 ballë.
