“`html
Tregu i sigurimeve drejt një viti me rritje dyshifrore
Tregu i sigurimeve pritet të shënojë një vit me rritje dyshifrore. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto për periudhën janar-nëntor 2025 kanë arritur vlerën e 25.2 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 10.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e tregut është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me 7.3% që shënohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një rol mjaft të rëndësishëm në rritjen më të madhe të tregut ka luajtur rritja e çmimit mesatar për sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Statistikat e AMF-së tregojnë se primet e shkruara bruto nga ky produkt u zgjeruan me 13.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pesha e këtij produkti ka arritur në 57.6% të tregut (nga 55.8% një vit më parë). Sigurimet e detyrueshme motorike në tërësi (duke përfshirë kartonin jeshil dhe policën kufitare) sollën 68.2% të primeve të shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës.
Nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit, në terma mesatarë. Rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” hyri në fuqi në fillim të vitit 2025. Kjo rregullore parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si:
- Historia e dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit;
- Fuqia motorike e mjetit;
- Mosha e të siguruarit;
- Eksperienca në drejtimin e mjetit motorik;
- Përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ;
- Qarku i regjistrimit të mjetit;
- Vjetërsia e mjetit.
Klasat e tjera të sigurimit po shfaqin përgjithësisht ecuri të dobët, me përjashtim të sigurimit Kasko të mjeteve tokësore, që është në rritje vjetore me 10.5%. Ndërkohë, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore, vazhdon të shfaqë një rritje anemike, me 4.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i vogël në përmasa, por është në rritje më të lartë krahasuar me tregun e Jo-Jetës. Shifrat tregojnë një rritje prej 13.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregu i sigurimeve të Jetës vazhdon të mbështetet gjerësisht te sigurimi i jetës së debitorit, produkt ky që sjell pothuajse 83% të volumit total të primeve të shkruara bruto.
Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare. Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë afatgjatë. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme dhe janë kusht i detyrueshëm për marrjen e kredisë.
“`
