Lapaj: Të dalim në protestë masive më 4 janar, Balluku tregoi kapjen e shtetit
Adriatik Lapaj foli sot para Kryeministrisë, duke u fokusuar te skandali që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku. Ai e cilësoi këtë si një provë të qartë të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
Lapaj deklaroi se ka nisur organizimi për protestën e 4 janarit, në orën 12:00. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nga çdo cep i vendit, për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e asaj që ai e quajti “klikë në pushtet”.
Sipas tij, rasti i zv/kryeministres Balluku është publik prej muajsh, por institucionet kanë heshtur. Ai theksoi se protestat e javëve të fundit kanë thyer kontrollin e debatit publik dhe kanë rikthyer reagimin qytetar.
Në përfundim, ai u shpreh i bindur se ndryshimi është i mundur dhe se Shqipëria mund të drejtohet nga njerëz të pakorruptuar. Ai ftoi qytetarët të bashkohen në protestën e 4 janarit.
Pjesë nga deklarata e Adriatik Lapajt:
- “Sot kemi nisur organizimin për protestën e datës 4 janar. Në orën 12:00 i madh e i vogël, nga çdo shtresë sociale, nga çdo cep i vendit, nga fermerët që janë përmbytur e nuk kanë marrë dëmshpërblimet, duhet të bashkohen masivisht për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e klikës në pushtet.”
- “Vendi ka filluar të ngjallet nga vdekja klinike. Sa protesta kanë ndodhur në këto 3 javë nga grupime të ndryshme, nuk ka pasur në 3 vitet e fundit.”
- “Këta e kishin kapur dhe marrë peng debatin publik. Qytetarët që po reagojnë po imponojnë një agjendë të re.”
- “Kishte muaj që dëshmohej se zv/kryeministrja ishte kapur në flagrancë duke vjedhur para të qytetarëve, por vetëm heshtje…”
- “Janë munduar edhe ta relativizojnë duke thënë: ‘këta të korruptuar janë, por ja na ikën këta kush do vijë?’ Do na vijnë njerëz të pakorruptuar, sepse nuk i kanë rrënjët që kanë këta dhe tjetra të gjithë e kanë kuptuar se edhe nëse vjedh, vjen një ditë që nuk shpëton.”
