BIRN: Si u zhduk koleksioni prej 1 milion eurosh me 900 shishe verë i Ergys Agasit
Një koleksion me 900 shishe verë ekskluzive, me vlerë rreth 1 milion euro, në pronësi të Ergys Agasit, është zhdukur pa lënë gjurmë, pavarësisht se ishte bllokuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.
Në “Equos Resort”, i vendosur mes kodrave të Mulletit, 13 kilometra larg Tiranës, që ofron shërbime luksoze, mes të cilave një klub hipizmi dhe aktivitete ujore, fshihej një qilar me një koleksion veçanërisht të vlefshëm. Ky koleksion u zbulua pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Oficerët e BKH-së bllokuan në një vilë 2-katëshe, të identifikuar si pronë e Agasit, një koleksion të pasur me 900 shishe verëra të markave ekskluzive. Pavarësisht bllokimit nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor, koleksioni i verërave u zhduk në rrethana të paprecedenta.
Një burim pranë hetimit bëri të ditur se disa nga verërat e koleksionit, me origjinë nga Franca dhe Italia, vinin nga vitet 1922, 1923 dhe 1940, të pajisura me certifikata origjine. Sipas SPAK, koleksioni u zbulua gjatë zbatimit të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit, vendosur nga Gjykata e Posaçme më 15 dhjetor. Hetuesit e BKH-së, duke vlerësuar se koleksioni i verërave nuk hynte në kompetencën e tyre, njoftuan Drejtorinë e Hetimit Doganor për të kryer procedurat e nevojshme për mallrat e kontrabanduar.
Një burim i SPAK, duke ruajtur anonimatin, shpjegoi se kjo praktikë ndiqet kur dyshohet për vepër penale jashtë juridiksionit të tyre, duke njoftuar institucionet kompetente. Drejtoria e Hetimit Doganor ka kryer inventarin, duke vlerësuar koleksionin në rreth 1 milion euro dhe shmangien e detyrimeve doganore në rreth 300 mijë euro. Disa shishe kapnin vlerën e mbi 30 mijë eurove, ndërsa më e lira ishte rreth 350 euro.
Pasi mbaroi inventarin, Drejtoria e Hetimit Doganor nuk e transportoi koleksionin në magazinat doganore, duke pretenduar mungesë hapësire për produkte ushqimore. Ata mbajtën një procesverbal për bllokimin e mallit, të nënshkruar nga xhaxhait të Agasit, Eno Agasi, dhe u larguan. Të nesërmen, punonjësit e Hetimit Doganor e gjetën qilarin bosh.
Doganat referuan çështjen në Prokurorinë e Tiranës, kur 900 shishet e verës tashmë ishin zhdukur. Drejtori i Hetimit Doganor, Dorian Doka, i pyetur nga BIRN, nuk bëri komente, duke theksuar se çështja është në hetim.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale ndaj Eno Agasit, i cili është nën masën e “arrestit me burg” në mungesë. Ai hetohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kontrabandë mallrash, ruajtje ose depozitim mallrash kontrabandë, si dhe pastrim produktesh vepre penale.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, zhdukja e verërave ishte e mirëorganizuar, me autorët që janë kujdesur të fshijnë të gjitha gjurmët, përfshirë kamerat e sigurisë të resortit dhe ato që lidhnin atë me autostradën.
Koleksioni prej 1 milion eurosh i verërave të Ergys Agasit konsiderohet nga hetuesit si një investim, i krijuar për rritje vlere dhe potencialisht i përdorur në vend të shkëmbimeve valutore. Prokuroria e Tiranës do të vlerësojë vazhdimin e hetimeve dhe nëse çështja do të kalojë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
