Shqiptarët mes aplikantëve kryesorë për bashkimet familjare në Gjermani, përfituan rreth 11.500 persona sipas DW.
Bashkimi familjar në Gjermani është bërë gjithnjë e më sfidues, por sipas shifrave nga Ministria e Jashtme gjermane, qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria janë ndër aplikuesit kryesorë këtë vit. Pavarësisht shtrëngimit të ndjeshëm të politikave të imigracionit nga qeveria e koalicionit të CDU/CSU dhe Socialdemokratëve në Berlin, gjatë këtij viti janë lëshuar më shumë se 100.000 viza për bashkim familjar. Këto të dhëna janë raportuar së fundmi nga Ministria e Jashtme.
Sipas Ministrisë së Jashtme, deri në fund të nëntorit janë dhënë 101.756 viza për pesë kombësitë me numrin më të lartë të aplikimeve. Më së shumti viza janë lëshuar për shtetas turq (14.907) dhe sirianë (13.148), të ndjekur nga qytetarë nga India (9.286), Kosova (7.143) dhe Shqipëria (4.426).
E drejta për bashkimin familjar në Gjermani zakonisht vlen vetëm për familjen bërthamë, duke përfshirë bashkëshortët dhe fëmijët e mitur. Megjithatë, ekzistojnë përjashtime për raste të veçanta. Që nga një reformë e vitit 2024, përfshihen edhe prindërit dhe vjehrrit e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar me arsim të lartë, të cilët mund të sigurojnë jetesën e pavarur për të gjithë familjen.
Në korrik, qeveria gjermane pezulloi ribashkimin familjar për dy vjet për personat me status mbrojtjeje të kufizuar, duke e dalluar këtë nga rastet e refugjatëve të njohur. Vetëm në “raste të vështira” u lejohet atyre të sjellin në Gjermani bashkëshortët, fëmijët e mitur si dhe, në rastin e të miturve të pashoqëruar, prindërit e tyre. / DW
