Gazetar peruan vritet pasi zbuloi skandal korrupsioni në mesin e autoriteteve lokale
Një gazetar peruan ka ndërruar jetë të premten në një spital në Lima, pas një sulmi nga persona të armatosur. Ky lajm u bë i ditur nga Shoqata Kombëtare e Gazetarëve të Perusë (ANP). Me këtë rast, numri i gazetarëve të vrarë në vend gjatë këtij viti ka arritur në katër.
Viktima, Michar Castillejos, 34 vjeç, u plagos rëndë më 12 dhjetor, teksa po dilte nga banesa e tij për t’u nisur drejt stacionit radiofonik Latin Plus, ku punonte, në rajonin Ucayali. Ai ishte i njohur për investigimet e tij, duke përfshirë edhe zbulimin e një skandali korrupsioni që përfshinte autoritete lokale.
Shoqata Kombëtare e Gazetarëve kërkoi “ndëshkim shembullor për autorët e kësaj vrasjeje”, duke theksuar se “ky vit ka qenë katastrofik për lirinë e shtypit në Peru”.
Më herët gjatë këtij muaji, gazetari Fernando Núñez, bashkëpunëtor i faqes së lajmeve Kamila TV, u qëllua për vdekje ndërsa po kthehej nga një raportim në rajonin La Libertad, në veri të vendit. Ai iu bashkua listës së viktimave që përfshin edhe gazetarët Gastón Medina dhe Raúl Celis, të vrarë nga persona të armatosur në rrethana të ngjashme.
Vrasjet ndodhin në një kohë kur aktiviteti i bandave kriminale është në rritje në Peru. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në tetor të këtij viti janë regjistruar 1.888 vrasje, duke shënuar një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
