Biznesi Bllokuar: Pushime shtetërore, kosto për sipërmarrjet

Shteti fizik dhe virtual, pushime, por bizneset paguajnë koston. Ministrja “Diella” as nuk punon, as nuk jep përgjigje.

Është bërë zakon që ditët e festave, kur bien afër fundjavës, të bëhen zyrtarisht pushim edhe me vendim qeveritar. Megjithatë, ky vendim vlen vetëm për administratën publike. Bizneset shpesh nuk kanë luksin të pushojnë për periudha të gjata, pasi të ardhurat e tyre nuk janë të garantuara si ato të administratës publike, e cila financohet nga taksapaguesit.

Me rastin e Krishtlindjeve më 25 dhjetor, që ra të enjten, edhe dita e premte u shpall pushim për administratën, duke krijuar një periudhë katër-ditore pushimi, duke përfshirë edhe fundjavën. Teorikisht, kjo nuk duhej të pengonte aktivitetin e bizneseve, pasi shumica e veprimeve kryhen tashmë online. Madje, edhe Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, e njohur si “Diella”, vepron në mënyrë virtuale.

Në praktikë, bizneset janë bllokuar prej ditësh. Sistemi online kryesisht nuk funksionon ose punon me shumë vështirësi. Bizneset kanë raportuar për median se gjatë ditës së premte sistemet bazë operative të punës nuk kanë funksionuar, dhe situata ka qenë e njëjtë edhe të shtunën.

Me shtetin “fizik” të mbyllur, shtetin online të dëmtuar, dhe ministren “Diella” që nuk jep përgjigje pasi nuk ka qasje në sistem, sipërmarrjet po përballen me penalizime dhe pengesa në aktivitetin e tyre, pa pasur ku të ankohen.

Prej disa ditësh:

  • Në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), nuk mund të kryhen aplikime për regjistrimin e shoqërive të reja ose ndryshime (shitje kuotash, kapitali).
  • Në sistemin “self care”, përmes të cilit nxirren faturat, është e pamundur të hysh.
  • Nuk mund të aplikohet për leje lindjeje ose për shtimin e punonjësve të rinj, pasi faqja ngarkohet bosh ose kërkon pritje të gjatë.
  • Edhe për individët, shkarkimi i një certifikate është i pamundur, pasi kodi i hyrjes në llogari nuk mbërrin.

Ndërkohë, sistemi i tatimeve (E-tax) funksionon normalisht. Megjithatë, sistemet e tjera, të cilat ndërlidhen përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), shpesh janë jo-funksionale ose punojnë me vështirësi.

Sipas bizneseve, kjo situatë, e cila po zgjat prej ditësh, përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhëniet e bizneseve me administratën publike apo të profesionistëve me klientët e tyre.

Shqipëria mund të jetë një vend unik, ku bizneset “luten” qeverinë t’i lejojë të punojnë! Tani për tani, bizneset janë duke pritur për të mundësuar shtimin e punonjësve.

Scroll to Top