Spaho kritikon PD: Berisha fajtor, mbështetni Salianjin

“Flamur Noka servil dhe i pabesë”, Edmond Spaho kritikon lidershipin e PD: Berisha është përgjegjës për gjendjen ku është partia, mbështesni Salianjin

Ish-deputeti demokrat Edmond Spaho vazhdon kritikat ndaj Partisë Demokratike dhe u bën thirrje për largimin e lidershipit aktual, të cilin e akuzon për degradimin e partisë. Spaho ka bërë një reagim të fortë në mbështetje të lëvizjes së nisur nga Ervin Salianji në Partinë Demokratike, duke lënë pas kundërshtitë dhe përplasjet me të. Ai u bën thirrje demokratëve kudo që janë ta mbështesin Salianjin.

“Pavarësisht diferencave të thella që unë kam me Ervin Salianjin, të cilat gjithmonë i kam bërë publike, është përgjegjësi morale dhe qytetare t’i bëj thirrje të gjithë demokratëve që të mbështesin Ervin Salianjin, pasi çdo ndryshim, nga kushdo që vjen, është në interes të PD, demokracisë dhe vendit”, shkruan Spaho.

Ish-deputeti thekson se Partia Demokratike “ka rënë në moçal” dhe Sali Berisha ka përgjegjësinë direkte për gjendjen e saj, megjithatë, sipas Edmond Spahos, ai e do partinë vetëm për interesat e tij. Përgjegjësitë i sheh edhe tek Flamur Noka, të cilin e quan udhëheqës të pabesë, intrigant, servil dhe arrogant.

Në një postim të tij, Edmond Spaho shprehet:

“Unë jam kundërshtar i thekur dhe i vendosur i Ervin Salianjit! Madje shumë në PD mendojnë që unë u dëmtova në zgjedhjet e vitit 2025, sepse, veç kundërshtive të tjera, mbajta qëndrim të ashpër ndaj sjelljes servile të Berishës ndaj Ervin Salianjit. Ai di edhe sa shumë ka punuar rrethi i tij politik, por edhe familja e tij në Korçë, që unë të mos fitoja në zgjedhjet e vitit 2025. Frymëzimin dhe udhëzimin për të punuar kundër meje e morën nga njeriu me të meta që ka PD, Flamur Noka.”

Spaho vijon duke shpjeguar përplasjet me Lulzim Bashën dhe interesin e tij për PD.

“Unë nuk kam pasur asgjë personale në përplasjen me ‘lepujt e Lulit’, përveçse interesit të PD. Këtë e dinë Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Flamur Noka në takimet dhe debatet që kemi pasur në periudhën Gusht-Shtator 2021. Në periudhën 2023-2025 kam mbajtur qëndrim të qartë në Grupin Parlamentar (veçanërisht në mbledhjen në fund të muajit Gusht 2023) që Rithemelimi duhet të krijonte Grup Parlamentar më vete, të shkëputur nga grupi i PD, madje kërkova të krijonim një forcë të re politike. Mendimet e mia u konsideruan herezi nga Sali Berisha. Ndërkohë Berisha pothuajse po mbyllte pazarin me përfaqësuesit e Lulzim Bashes për t’u bashkuar me ta në një grup të vetëm parlamentar, me kosto të rënda për PD dhe zgjedhjet që pasuan.”

Ai rithekson mbështetjen për Salianjin, pavarësisht kontradiktave.

“Pavarësisht sa më sipër dhe kontradiktave politike që unë kam me Ervin Salianjin, mendoj se lëvizja e tij i duhet dhe e ndihmon PD. Përgjegjësia kryesore për gjendjen ku është PD bie mbi Sali Berishën, i cili e do PD vetëm për interesat e tij. Veçanërisht përgjegjësi ka ‘Rasputini’ i Berishës në PD, Flamur Noka, që në ‘bahçen’ e Berishës i ka shtuar edhe një ‘bahçe’ më të madhe, që quhet ‘bahçja e kënaqësive politike dhe personale të Mulit’. Unë kam 35 vjet në PD por nuk kam hasur ndonjë udhëheqës më të pabesë, intrigant, të papërgjegjshëm, servil, arrogant dhe pa moral politik sa Flamur Noka.”

Spaho krahasoi Flamur Nokën me Ridvan Bodën, duke theksuar diferencat në qasjen ndaj përgjegjësive.

“Me gjithë kontradiktat që kam pasur, Ridvan Bode ndryshon si nata me ditën me Flamur Noken për sa i takon përgjegjësive me të cilat ai e shihte postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe punës kolosale që ndërmori për të organizuar strukturat e PD që të fitonim zgjedhjet e vitit 2005.”

Ai përfundon duke apeluar për mbështetjen ndaj Ervin Salianjit.

“Në këto kushte mendoj se, pavarësisht diferencave të thella që unë kam me Ervin Salianjin, të cilat gjithmonë i kam bërë publike, është përgjegjësi morale dhe qytetare t’i bëj thirrje të gjithë demokratëve që të mbështesin Ervin Salianjin, pasi çdo ndryshim, nga kushdo që vjen, është në interes të PD, demokracisë dhe vendit.”

Spaho gjithashtu hedh dyshime për lidhjet e disa deputetëve me grupe kriminale dhe thekson nevojën për ndryshime rrënjësore në parti.

“Lërini përrallat me Suel Çelen. Nga sa kam dëgjuar, të paktën 3 deputetë të PD sot në Parlament janë me lidhje me grupet kriminale. Gojët e liga thonë që kanë paguar për t’u futur në listë të mbyllur. Unë nuk e besoj. Mos harroni që PD me sakrifica të mëdha, 12 vjet më parë, miratoi ligjin e dekriminalizimit. Harrojini gënjeshtrat që në Janar do bëjmë protesta çdo nate, që do rrëzojmë Edi Ramën, që nga sot Rama nuk është më Kryeministër, që ndërkombëtaret na mbështesin. PD duhet të ndryshojë programin, të zëvendësojë ata që e udhëheqin jo vetëm në nivelet e larta por edhe më poshtë, të ndryshojë gjuhën e komunikimit politik, sjelljen ndaj institucioneve, veçanërisht ndaj SPAK, si dhe të ketë një vështrim më të qartë sesi një parti demokrate perëndimore vjen në pushtet. Harrojeni forcën. Rama është qeveritari më i korruptuari në botë, por lufta ndaj korrupsionit dhe rikthimi në pushtet nuk realizohet me ‘Nongrata’.”

Scroll to Top