“`html
Berisha sfidon Ramën: Të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të shihet kush fiton. Besoj ende se do të rikthehem në pushtet
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë dhënë në podkastin “Elevate” të Floriana Garos, ka folur për politikën, sfidat, si edhe shpalljen “non grata”, për të cilën u shpreh se ishte si një rrufe në qiell të hapur.
Ai deklaroi: “Ata që erdhën me rebelim i përzura me votën e lirë. Erdha me një program që ndryshova Shqipërinë. U ndjeva i përkushtuar. Do vazhdoja reformën.”
Berisha shtoi se demokratët ia kanë dalë me kauzën e tyre dhe beson se do t’ia dalin për t’u rikthyer në pushtet.
“Kisha besuar. Sikundër besoj dhe sot. Patjetër. Le të bëjnë zgjedhje të lira dhe ta shikojmë kush fiton,” theksoi ai.
Duke iu referuar qeverisjes dhe misioneve, Berisha tha: “Vetëm mision. Ministrat e mi, mision. Qeverisja është mision. Anëtarësimi në NATO, mision. Infrastruktura, mision. Edhe diktatorin e përzumë me votë.”
Lidhur me qëndrimin e tij pas dhjetorit 1990, ai u shpreh: “Pse qëndrova? Në 13 dhjetor u thashë mirupafshim. Do mbetem mik i PD-së dhe gjatë gjithë natës mendova se bëra gabim se duhet të qëndroj me Kosovën. Shkruaja çdo ditë. Facebook ishte gazeta ime. Dhe unë merresha me të. E kam përdorur. Lexoja. Natyrisht kam shkruajtur disa nga kujtimet por nuk jam fans i autobiografive.”
Ai shtoi: “Kisha jetuar në diktaturë, një nga mësimet ishte se qëndrimi në kohë të gjatë në karrige nuk është i dobishëm për vendin. Edhe sot e mendoj. Kam dhënë dorëheqjen. Pa ndonjë keqardhje të madhe. Mendova se unë përmbusha.”
Më tej, duke folur për shpalljen “non grata”, Berisha tha: “Ishte një rrufe në qiell të hapur. Më kishte thënë Rama po censurohesh, se ke dekonspiruar kundër politikës së jashtme SHBA. Vendimi ishte për korrupsion dhe minim të demokracisë. Ishte një fyerje e rëndë dinjitetit tim. Ishte beteja për dinjitetin tim.”
Ai vlerësoi përpjekjet e tij dhe të partisë: “Kur ata kërkuan të mos hyj në parlament, atë nuk e bënë dot. Kur në tërbim, Yuri Kim bënte çdo gjë që të kontrollonte Lulzim Bashën si kryetar partie, kjo nuk mund të ndodhte. U vendosëm në një izolim të paprecedent. Nga burokratë të korruptuar europianë dhe botërorë. Ne ia dolëm dhe do ia dalim. Është kauzë e drejtë.”
Në fund, Berisha theksoi rëndësinë e moralit dhe empatisë në suksesin personal dhe politik: “Për të qenë i suksesshëm duhet të ketë moral dhe empati. Jashtë moralit dhe empatisë e kam të vështirë të mendoj. Mund të kesh sukses por do jesh problem i madh.”
“`
