Trump mirëpret Netanyahun për bisedime mbi të ardhmen e armëpushimit në Gaza
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet sot me aleatin e tij kryesor, Presidentin e SHBA-së Donald Trump, për bisedime që pritet të përqendrohen në të ardhmen e armëpushimit në Rripin e Gazës. Negociatat për të filluar fazën e dytë të marrëveshjes duket se kanë arritur në një pikë të vështirë.
Programi bërthamor i Iranit, situata në Siri dhe çarmatimi i lëvizjes Hezbollah të Libanit janë çështje të tjera kritike që do të diskutohen në këtë takim. Ky është takimi i pestë mes dy udhëheqësve që kur Trump mori detyrën. Uashingtoni dhe ndërmjetësit rajonalë synojnë të përshpejtojnë procesin për zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes, bazuar në një plan të propozuar nga presidenti amerikan.
Armëpushimi në Rripin e Gazës, mes ushtrisë izraelite dhe lëvizjes islamiste palestineze Hamas, në fuqi që nga 10 tetori, mbetet i brishtë. Faza e dytë parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen progresive të trupave izraelite nga Gaza, formimin e autoriteteve kalimtare dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizuese. Hamasi e kundërshton këtë fazë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump pritet ta mirëpresë kryeministrin izraelit në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida. Trump, i cili ndodhet atje për pushime, priti gjithashtu Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky një ditë më parë, për të diskutuar luftën me Rusinë.
Pengu i fundit
Armëpushimi në Rripin e Gazës, bazuar në një plan paqeje që Trump synon ta mbikëqyrë personalisht, i dha fund dy muajve të shkatërrimit pas ofensivës së Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023. Megjithatë, bisedimet për fazën e dytë duket se janë bllokuar, pavarësisht përpjekjeve amerikane për të bërë përparim.
I dërguari special i presidentit amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, u takuan në fillim të këtij muaji në Miami me përfaqësues të Katarit, Egjiptit dhe Turqisë. Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit. Përpara fillimit të bisedimeve për fazën e dytë, Izraeli kërkon kthimin e eshtrave të pengut të fundit të mbajtur nga Hamasi. Hamasi pretendon se nuk ka qenë në gjendje t’i gjejë ato.
Sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, e cila citon zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, Uashingtoni dëshiron të shpallë sa më shpejt formimin e një qeverie palestineze të përbërë nga teknokratë dhe të mbikëqyrur nga një komitet i drejtuar nga Trump, siç parashikohet në planin për fazën kalimtare.
“Luftë totale”
Analisti Yossi Mecklenberg vë në dukje shenja të rritjes së dëshpërimit të administratës amerikane me Netanyahun. Kryeministri izraelit do të ngrejë çështjen e Iranit, duke theksuar rindërtimin e programit bërthamor dhe forcimin e aftësive ushtarake të Republikës Islamike, veçanërisht në prodhimin e raketave balistike.
Në qershor, të dy vendet, armiq të betuar, u përfshinë në një luftë 12-ditore, ku Izraeli kreu sulme kundër objekteve bërthamore iraniane. SHBA-të iu bashkuan duke bombarduar tre objekte kryesore bërthamore iraniane. Irani u hakmor duke lëshuar dronë dhe raketa. Në një intervistë të botuar të shtunën, Presidenti iranian Masoud Pesekian tha se SHBA-të, Izraeli dhe evropianët vazhdojnë të zhvillojnë një luftë totale kundër Republikës Islamike.
Yossi Mekelberg shprehet se, me zgjedhjet parlamentare të vjeshtës 2026 që afrohen, takimi me Trump i jep kryeministrit izraelit Netanyahu mundësinë për ta kthyer vëmendjen nga Irani dhe për ta larguar atë nga vështirësitë e brendshme përpara zgjedhjeve. Sipas tij, “qëndrimi në pushtet është gjithçka”.
