Albin Kurti drejt formimit të qeverisë pa opozitën, si ndahen mandatet e katër partive kryesore
Publikuar më 29.12.2025 nga shekulli_admin
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po i japin edhe njëherë mundësinë Albin Kurtit të krijojë qeverinë vetëm me disa deputetë të pakicave kombëtare, por pa pasur nevojë t’i shtrijë dorën opozitës. Kur janë numëruar gati 90% e kutive të votimit në të gjithë vendin, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë rreth 50% të votave, që në bazë të përllogaritjes mund të prodhojnë 56 deputetë. Albin Kurtit i duhen jo më shumë se 5 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.
Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka një rritje me 8 për qind. Në të njëjtat nivele me ato të dhjetë muajve më parë është Partia Demokratike e Kosovës, e cila vetëm pak para zgjedhjeve ndryshoi liderin e saj. Bedri Hamza ka marrë diçka më shumë se 20% të votave, identik sa përqindja e dhjetë muajve më parë dhe mund të marrë 23 deputetë, një më pak se në shkurt.
Ndërkohë që humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës. Partia e Lumir Abdixhikut është në nivelin e 14% të votave, katër për qind më pak se zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të këtij viti dhe pritet të ketë një rënie me 5 deputetë nga 20 që mori në fillim të vitit. Jashtë parlamentit e sheh veten edhe Fatmir Limaj i cili doli i vetëm në këto zgjedhje dhe nuk e arriti pragun, ndërkohë që Ramush Haradinaj me 6% të votave mund të marrë 6 deputetë nga 8 që kishte koalicioni i tij në shkurt 2025.
Analiza e DW
Në një analizë të portalit gjerman, “tagesschau” me titullin “Kurti triumfon qartë” theksohet se partia e Albin Kurtit fiton para së gjithash falë të ardhurve nga diaspora. “Vërtet pati një rritje çuditërisht të madhe të votave për partinë e Kurtit: ajo arriti 42 përqind në zgjedhjet parlamentare në shkurt dhe tani qëndron në rreth 50 përqind. Kjo do të thotë që kriza qeveritare, e cila ka zgjatur për më shumë se dhjetë muaj, mund të jetë duke marrë fund. Me këtë rezultat, Kurti nuk varet më nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, tre partitë kryesore opozitare nga spektri liberal deri te ai i qendrës së djathtë.” Por Kurti nuk qeveris dot i vetëm, por ka nevojë për votat e pakicave”, thekson tagesschau.
Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” shkruan se në Kosovë duket se tani mund të marrë fund bllokada politike. Në Prishtinë po festohet, shkruan “Der Spiegel”, dhe kryeministri Kurti e ka zgjeruar mazhorancën duket marrë 56 nga 120 deputetë. “Kurti po përpiqet të zvogëlojë ndikimin serb në Kosovë, gjë që pritet me miratim nga shumë shqiptarë të Kosovës, por në të njëjtën kohë përkeqëson tensionet me Beogradin.”
“Süddeutsche Zeitung” në artikullin “Nacionalisti Kurti fiton zgjedhjet në Kosovë” shkruhet se kryeministri reformist i majtë siguroi shumicën dhe me ndihmën e minoriteteve mund të krijojë qeverinë. Gazeta gjermane thekson, se “nëse formimi i një qeverie do të jetë i pamundur përsëri, kriza politike do të përshkallëzohet në një pikë kritike. Parlamenti duhet të zgjedhë një president të ri në prill dhe të ratifikojë marrëveshjet e kredisë me BE-në dhe Bankën Botërore me një vlerë totale prej një miliard eurosh, të cilat skadojnë në muajt në vijim. Partitë opozitare refuzojnë një koalicion me Kurtin, duke kritikuar marrëdhëniet e tij me aleatët perëndimorë dhe qasjen e tij ndaj pakicës serbe në veri të vendit.”
Edhe “Frankfurter Rundschau” i kushton vëmendje zgjedhjeve në Kosovë. “Sipas disa komentuesve, rezultati i fortë i VV-së mund të shpjegohet, pjesërisht, nga potenciali i saj për mobilizimin e elektoratit. Edhe data e zgjedhjeve ka të ngjarë të ketë luajtur një rol: midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, shumë kosovarë që jetojnë jashtë vendit vizitojnë atdheun e tyre, përfshirë njerëz nga Gjermania. VV është veçanërisht popullore në mesin e këtij grupi votuesish.”
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan, se siç pritej kryeministri Kurti i fitoi zgjedhjet në Kosovë. Por habi shkaktoi forcimi i rezultatit. Po merr fund bllokada politike në vendin e vogël ballkanik, pyet FAZ? “Ndërsa kritikët e akuzojnë VV-në për mungesë gatishmërie për kompromis, Kurti theksoi natën e zgjedhjeve se donte të bashkëpunonte më ngushtë me opozitën në të ardhmen, pasi disa vendime në parlament kërkonin një shumicë prej dy të trenash.” Me këtë shtohet shpresa, se vendi do të dalë nga situata e patit politik, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
