Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë
Nga Victor Manuel Sanchez Valdes
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, me shtetësi meksikane por me origjinë shqiptare, për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikane me klane kriminale me origjinë shqiptare. Ky zhvillim ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Së bashku me ‘Ndrangheta-n italiane, ato përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, rrjedhimisht, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, mafia shqiptare ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ‘Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale. Megjithatë, nga vitet ’90 nisën të rriteshin falë dy faktorëve kryesorë.
Faktori i parë: Dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të bashkëpunonin me ta, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshëm për kartelet meksikane apo kolumbianë.
Ndërsa këto mafie dobësoheshin, kartelet meksikane dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ‘Ndrangheta aleatët e duhur. Në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë: Në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ‘Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës. Kjo prani ishte veçanërisht e përqendruar në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
- Mafia shqiptare ka prani në qytete si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma.
- Ajo është e pranishme edhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore të hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Një arsye shtesë: Përveç rolit kyç në trafikun e drogës, mafia shqiptare u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe pjesë të tjera të botës, si Kina. Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh. Ata gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Operacionet e tyre janë identifikuar edhe në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra. Ata përdorin blerje kriptomonedhash, platforma të lojërave elektronike dhe kryejnë mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikane sepse:
- Është një nga blerëset më të mëdha të drogës.
- Ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera.
- Ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave.
- Mund të sigurojë armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura. Çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, e lidhur nga qeveria amerikane me fraksionin Mayiza, shërben si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane. Përveç pastrimit të parave përmes kazinove, ajo ofron qasje në një katalog të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.
