Auditimi: Kryeqyteti pa impiante për ujërat e ndotura, derdhja në lumenjtë e Tiranës dhe Lanës
Tirana, kryeqyteti me rreth 800 mijë banorë, nuk disponon asnjë impiant për trajtimin e ujërave të ndotura. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka konstatuar se ujërat e ndotura vijojnë të derdhen në lumin e Lanës dhe atë të Tiranës.
KLSH argumenton se ligji “Për trajtimin e ujërave të ndotura” synon ndër të tjera:
- Trajtimin e ujërave të ndotura në faza të hershme për të mos penguar përpunimin dhe përdorimin e mëtejshëm.
- Pakësimin sa më shumë të lëvizjes së lirë të ujërave të ndotura dhe trajtimin sa më pranë burimit dhe në impiantin më të afërt.
- Parandalimin e ndotjes së mjedisit prej ujërave të ndotura dhe kufizimin e ndikimit kur ajo ndodh.
Megjithë qartësinë e ligjit, në praktikë në Tiranë kjo nuk zbatohet. Auditimi thekson: “Ujërat urbane të kryeqytetit, ku sipas INSTAT-it jetojnë rreth 800 mijë banorë, vazhdojnë të derdhen në lumenj pa asnjë trajtim, duke shndërruar Lumin e Tiranës dhe atë të Lanës, sipas raporteve të institucioneve shtetërore, ndër zonat më të ndotura të vendit.”
Fillimisht, Tirana parashikohej të kishte një impiant trajtimi në Kashar, por ky projekt përfundoi në Arbitrazh. Kompania që fitoi të drejtën e zbatimit e çoi shtetin shqiptar në arbitrazh për prishjen e njëanshme të kontratës. Në atë moment, kompania kishte realizuar 68% të punëve të kontraktuara, me një vlerë prej 56 milionë euro.
Pas procesit në Arbitrazhin e Londrës, kompania fitoi një çështje që ka dy efekte negative për shtetin shqiptar: kostot e mirëmbajtjes së një impianti ende të papërfunduar janë rritur, ndërkohë që detyrimi për të paguar, së bashku me interesat për vendimin e arbitrazhit, vijon të rritet.
“Ndërprerja e kontratës së zbatimit të punimeve për ndërtimin e ITUN Kashar dhe përmirësimin e sistemit të kanalizimeve në qytetin e Tiranës, u vlerësua nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICC) në Londër si e njëanshme dhe e kundërligjshme, duke arsyetuar se është shkelur marrëveshja e financimit dhe kushtet e kontratës. Gjykata caktoi në ngarkim të palës së paditur MIE dhe AKUK një vlerë prej afërsisht 13.5 milionë Euro. Kostot financiare deri në maturimin dhe shlyerjen e plotë të detyrimeve do të rriten edhe nga aplikimi i interesave vjetore, të përllogaritura në nivelin 3% të normës së skontimit të Bankës përkatëse mbi shumën e principalit të detyrimit të pashlyer.” thuhet në auditim.
Sipas auditimit, deri në datën 30.04.2025, ky vendim nuk ishte njohur nga Gjykata e Apelit për të marrë fuqi juridike.
Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Kashar, i papërfunduar, është parashikuar të kryejë një nivel trajtimi sekondar (për kapacitetin 350,000 p.e) për fazën e parë dhe terciar në nivelin përfundimtar të trajtimit (për kapacitetin 681,680. Ai u financua me një hua nga qeveria e Japonisë.
