Shëndetësia në Shqipëri: Sëmundjet Rriten, Fondet Bien

Sëmundjet po rriten, ndërsa fondet për shëndetësinë po bien, si në vlerë ashtu edhe në përqindje.

Aktiviteti i ambulancave, poliklinikave dhe spitaleve publike është në rritje vitet e fundit, si pasojë e plakjes së popullsisë dhe rritjes së barrës së sëmundjeve në shoqëri. Megjithatë, në të njëjtën kohë, shpenzimet për sektorin e shëndetësisë, si në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), ashtu edhe me shpenzimet buxhetore në përgjithësi, po bien në periudhën afatmesme.

Të dhënat nga projektbuxheti afatmesëm për vitet 2026–2028, i cili u publikua së fundmi në Fletoren Zyrtare, tregojnë se fondet e dedikuara vetëm për shëndetësinë janë shumë më të ulëta nga sa raportohet zyrtarisht. Kjo ndodh sepse brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë përfshihet edhe ndihma ekonomike.

Këtë vit, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është rreth 80 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 53 miliardë lekë janë për funksionet e shëndetësisë dhe 27.3 miliardë lekë janë për ndihmën ekonomike. Në total, buxheti i shëndetësisë këtë vit përbën 3% të PBB-së, ku 2% janë për shëndetësinë dhe 1% për ndihmën ekonomike.

Për vitin 2028, buxheti total i planifikuar për shëndetësinë është 82 miliardë lekë. Nga këto, 29.5 miliardë lekë (1% e PBB-së) do të jenë për ndihmën ekonomike, ndërsa 52 miliardë lekë (vetëm 1.7% e PBB-së) do të jenë për shëndetësinë.

Të dhënat konfirmojnë se fondi i dedikuar shëndetësisë do të vijë në ulje si në vlerë, ashtu edhe si përqindje e PBB-së. Nga 53 miliardë lekë këtë vit, për vitin 2028 janë planifikuar 52.6 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 1.4%. Këto shifra tregojnë se ekonomia po rritet më shpejt sesa financimet për shëndetësinë. Kjo sjell një ulje të peshës së sektorit në PBB dhe krijon presion mbi sistemin, sidomos në kohën kur kërkesat për shërbime shëndetësore publike vijojnë të rriten.

Shqipëria mbetet nën mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor për financimet në shëndetësi. Serbia shpenzon rreth 5% të PBB-së për shëndetësinë publike, Maqedonia e Veriut mbi 4%, ndërsa Bosnja rreth 6%. Edhe vendet me të ardhura të ngjashme, si Kosova (rreth 3% e PBB-së), kanë një peshë buxhetore më të lartë se Shqipëria.

Diferenca bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet me standardin europian, ku buxhetet publike të shëndetësisë variojnë mesatarisht nga 7% në 10% të PBB-së (p.sh., Italia rreth 7.2%, Spanja rreth 7.6% dhe Gjermania mbi 9%).

Të dhënat buxhetore sugjerojnë se teksa ekonomia rritet, qeveria nuk po arrin të shpërndajë më shumë fonde për shërbime sociale të tilla si financimi i arsimit, shëndetësisë dhe familjeve në nevojë.

Scroll to Top