Merr fund epoka e qirave të lira, arsyet e shtrenjtimit
Qiratë kanë shënuar rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, duke arritur 6.7%, duke thelluar më tej trendin që nisi nga vera e këtij viti. Ato janë bërë përbërësi kryesor i inflacionit në nëntor, duke u shkëputur nga ushqimet. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë për një tendencë të fortë rritëse gjatë vjeshtës 2025, e cila po vazhdon.
Ekspertët ia lidhin rritjen e çmimeve të qirave një sërë faktorësh, të cilët kanë të bëjnë me kërkesën dhe ofertën. Kryesorja lidhet me faktin se rritja e çmimeve të banesave e ka bërë të papërballueshëm blerjen e një apartamenti të ri për shumicën e të punësuarve. Kur blerja e një shtëpie bëhet më e shtrenjtë, njerëzit detyrohen të qëndrojnë më gjatë me qira ose të kërkojnë banesa me qira në vend që të blejnë. Kjo rrit numrin e qiraxhinjve dhe si pasojë çmimet ngrihen.
Gjithashtu, pronarët që kanë kredi të shtrenjta shpesh rrisin qiranë për të mbuluar pagesat e tyre mujore. Kërkesa për qira po përballet edhe me një presion në rritje nga vizitorët e huaj. Shqipëria është atraktive për turistët edhe për shkak të çmimeve të lira të qirave ditore, me vetëm 50 euro nata në zonën e qendrës. Dhënia me qira ditore e shumë apartamenteve për turistët ka çuar në rritjen e çmimeve për qiratë afatgjata, jashtë trendëve normalë.
Ekspertët e tregut pohojnë se një pjesë e apartamenteve të shitura janë bosh dhe përdoren vetëm pak ditë në vit nga emigrantët dhe të huajt, duke bërë që të mos ofrohen në tregun e qirave. Familjet me buxhete të kufizuara po e shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe detyrohen të paguajnë qira gjithnjë e më të larta, ndërsa agjentët imobiliarë pohojnë se edhe në zonat periferike janë të pakta apartamentet me çmime të lira.
Agjentët e tregut të qirasë nënvizojnë se shumë pak prona listohen me çmime 300–350 euro, kryesisht në periferi si “Astir” ose “Fresku”, të cilat merren menjëherë nga qiramarrësit.
Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6% deri në 57% në vetëm një vit.
Në Tiranë, zona më e shtrenjtë për qiratë e apartamenteve vijon të mbetet pranë stadiumit “Air Albania”. Për banesa 2+1, çmimi mesatar arriti në 1,800 euro në muaj, duke u rritur me 13% krahasuar me vitin e kaluar. Në zonën e ish-Bllokut, çmimi për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 650 euro në muaj, me një rritje prej 16% krahasuar me vitin e kaluar. Për apartamentet 2+1, çmimi i qirasë ka arritur 900 euro, ose 6% më shumë se viti 2024. Në Rrugën e Elbasanit, çmimi i qirave për apartamentet 1+1 është 700 euro në muaj në 2025, rreth 8% më shumë se vitin e kaluar. Rritje të ndjeshme në këtë zonë kanë shënuar qiratë për prona 2+1.
Qiratë për apartamentet 1+1 në zonën e Komunës së Parisit vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele si gjatë vitit 2024, mesatarisht rreth 650 euro në muaj. Për apartamentet 2+1, çmimet e qirave arritën 800 euro në muaj, ose 14% më shumë se në vitin 2024.
Ndryshime çmimesh janë shënuar edhe për qiratë në zonën e Liqenit Artificial. Çmimet e qirave për apartamente 1+1 arritën në 900 euro në muaj, duke u rritur me 13% krahasuar me vitin e kaluar. Për apartamentet 2+1, çmimet arritën në 1,400 euro në muaj, nga 1,200 euro në muaj që ishin vjet, duke u shtrenjtuar 17% krahasuar me vitin e kaluar.
Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro.
Të dhënat nga AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, bënë të ditur se në fund të 2024-s, në gjithë vendin kishte rreth 21 mijë njësi të listuara, nga të cilat rreth 3 mijë në Tiranë.
Inflacioni i përgjithshëm ka luajtur gjithashtu rol. Kostoja e materialeve të ndërtimit, taksat, shërbimet dhe mirëmbajtja e banesave është rritur, dhe pronarët e transferojnë këtë rritje tek qiramarrësit. Në disa qytete, situata rëndohet edhe nga përdorimi i shumë apartamenteve për qira afatshkurtër turistike, të cilat janë më fitimprurëse.
Edhe në vijim, çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen për shkak të kërkesës së lartë dhe mungesës së ofertës së përballueshme. Nëse qeveria dhe bashkitë nuk ndërhyjnë duke promovuar ndërtimin e banesave me çmime të përballueshme dhe duke aplikuar politika për banesa sociale, barra për qiramarrësit nuk do të lehtësohet. Përndryshe, rritja do të jetë edhe më agresive, lajmërojnë aktorët e tregut./Monitor.al
