CIA mohon sulmin rus: Ukraina nuk shënjestroi rezidencën e Putinit

CIA mohon pretendimet e Rusisë: Nuk ka pasur sulm ukrainas ndaj rezidencës së Putinit

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka deklaruar se forcat ukrainase nuk kanë shënjestruar vilën e presidentit rus, Vladimir Putin, në Novgorod. Ky mohim përgënjeshtron pretendimet që vetë Putin i kishte parashtruar presidentit amerikan Donald Trump.

Më 31 dhjetor, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e informoi presidentin Trump mbi akuzat e Kremlinit drejtuar Kievit. Si reagim i parë, Shtëpia e Bardhë shprehu solidaritet me presidentin rus, pavarësisht se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte mohuar menjëherë çdo përfshirje.

Megjithatë, burime të CNN raportojnë se presidenti Trump ishte shfaqur skeptik në momentin e bisedës me Ratcliffe. Kjo dyshim i tij mbështetej edhe nga një editorial i publikuar më 31 dhjetor nga New York Post, titulluar “Fanfaronadat mbi sulmin”.

Kjo çështje vjen në një moment kyç të bisedimeve intensive të udhëhequra nga Trump dhe të dërguarit e tij, me qëllim dhënien fund të luftës në Ukrainë. Putin e ngriti akuzën një ditë pasi Zelensky, gjatë takimit në Mar-a-Lago, ishte shfaqur optimist për përparimin drejt ndërmjetësimit të paqes.

Disa zyrtarë europianë sugjerojnë se kjo mund të ketë qenë një përpjekje ruse për të penguar negociatat e paqes, duke shmangur fajësimin ndaj Trumpit. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, e ka cilësuar këtë si “manipulim të qëllimshëm”.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës (SZRU) ka ngritur alarmin, duke akuzuar Moskën për “një operacion dezinformimi” me qëllim ndërprerjen e negociatave.

Ministria ruse e Mbrojtjes, e njohur për organizimin e operacioneve “false flag”, njoftoi fillimisht në Telegram se ishin interceptuar 89 dronë sulmues ukrainas në të gjithë vendin, 18 prej të cilëve në rajonin e Novgorod. Më pas, e njëjta ministri publikoi një deklaratë të dytë, duke pretenduar se mbrojtja ajrore kishte interceptuar 91 dronë, të drejtuar ndaj rezidencës së Putinit, përfshirë 41 të rrëzuar në Novgorod mes të shtunës dhe të dielës.

Më pas, kreu i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës ruse, admirali Igor Kostyukov, u takua në ambasadën amerikane me një zyrtar të mbrojtjes së SHBA-së për të dhënë detaje mbi operacionin. Kostyukov deklaroi se “Deshifrimi i përmbajtjes së memories së kontrollorëve të navigimit të këtyre mjeteve ajrore pa pilot, i kryer nga ekspertët e shërbimeve ruse të sigurisë, ka konfirmuar në mënyrë të besueshme se kompleksi i ndërtesave të presidentit në rajonin e Novgorod ishte objektivi i sulmit”. Megjithatë, dyshimet mbeten.

Scroll to Top