Kapja e Maduros nga “Delta Force”/ Reagimet ndërkombëtare pas sulmeve amerikane në Venezuelë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi sot se forcat amerikane kanë kapur homologun e tij venezuelian, Nicolás Maduro, pas një “sulmi në shkallë të gjerë” ndaj vendit të Amerikës së Jugut. Shpërthime të fuqishme tronditën Karakas-in dhe rajonin përreth në mes të natës.
Zëvendëspresidentja venezueliane deklaroi se nuk e dinte vendndodhjen e Maduro-s dhe bashkëshortes së tij, duke kërkuar “prova jete” nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, numri dy në diplomacinë amerikane shpalli një “epokë të re” për Venezuelën.
Më poshtë janë reagimet ndërkombëtare ndaj këtij sulmi nga Uashingtoni, i cili, sipas senatorit Lee, tashmë ka përfunduar:
- Kolumbia – Kolumbia njoftoi dislokimin e trupave në kufirin e saj me Venezuelën. Presidenti kolumbian Gustavo Petro, një aleat i ngushtë i Nicolas Maduro-s, denoncoi një sulm me raketa të SHBA-së ndaj Karakas-it, duke i cilësuar veprimet e Uashingtonit si “sulm ndaj sovranitetit” të Amerikës Latine dhe duke deklaruar se ato do të shkaktonin një krizë humanitare. “Ata kanë sulmuar Venezuelën”, shkroi presidenti kolumbian në llogarinë e tij në Twitter. Ai bëri thirrje për një takim “të menjëhershëm” të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS) dhe OKB-së, për të vendosur mbi “ligjshmërinë ndërkombëtare” të këtij “agresioni” kundër vendit fqinj.
- Rusia – “Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse, duke shtuar se “armiqësia ideologjike ka triumfuar mbi pragmatizmin ekonomik”. Rusia është një aleate e Venezuelës.
- Irani – “Ministria iraniane e Punëve të Jashtme dënon fuqimisht sulmin ushtarak amerikan kundër Venezuelës dhe shkeljen flagrante të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të vendit”, deklaroi Ministria e Jashtme iraniane, duke denoncuar “agresionin e paligjshëm të Shteteve të Bashkuara”, një kundërshtar i Republikës Islamike. Irani mban lidhje të ngushta me Venezuelën.
- Spanja – Qeveria spanjolle ofroi të ndërmjetësojë. “Spanja bën thirrje për ulje të tensioneve dhe përmbajtje” dhe është “e gatshme të ofrojë shërbimet e saj të mira për të arritur një zgjidhje paqësore dhe të negociuar për krizën aktuale”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
- Gjermania – “Po e ndjekim situatën në Venezuelë nga afër dhe po i kushtojmë vëmendje raporteve të fundit me shqetësim të madh. Ministria është në kontakt të ngushtë me ambasadën në Karakas. Situata mbetet e paqartë në disa aspekte. Celula e krizës e qeverisë gjermane po takohet sot në ministri”, deklaroi Ministria e Jashtme gjermane.
- Polonia – “Po dëshmojmë një sulm nga forcat amerikane kundër Karakasit, kryeqytetit të Venezuelës. Prandaj, viti 2026 po fillon me një pengesë të madhe. Do të kemi mundësinë të analizojmë pasojat e këtij sulmi mbi situatën në rajonin tonë. Një ngjarje si sulmi i sotëm i SHBA-së kundër Venezuelës prek të gjithë botën; ne do të reagojmë dhe do të përgatitemi për këtë situatë të re”, deklaroi kryeministri Donald Tusk në një konferencë për shtyp.
- Italia – “Kryeministrja Giorgia Meloni po e monitoron nga afër situatën në Venezuelë dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, veçanërisht për të mbledhur informacion mbi qytetarët tanë”, sipas një deklarate nga zyra e Melonit.
- Meksika – Meksika dënoi bombardimin e Venezuelës nga SHBA-të, duke paralajmëruar se çdo “veprim ushtarak rrezikon seriozisht stabilitetin rajonal”. “Qeveria meksikane dënon dhe hedh poshtë në termat më të forta të mundshme veprimet ushtarake të kryera në mënyrë të njëanshme në orët e fundit nga forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër objektivave të vendosura brenda territorit të Republikës Bolivariane të Venezuelës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
