Kreditimi mikrofinanca ngadalësohet; rreziku i huasë informale rritet

Kreditimi nga mikrofinanca, ecuri e dobët edhe në tremujorin e tretë 2025

Ecuria e kreditimit nga institucionet financiare jobanka ka qenë e dobët edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025, duke konfirmuar një frenim në segmentin e mikrofinancës. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e portofolit të kredisë të dhënë nga këto institucione arriti në 61.6 miliardë lekë. Kjo shifër shënon një rënie me rreth një miliardë lekë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka është pothuajse në të njëjtat vlera. Ndërkohë, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, shënohet një rritje modeste prej 2.2%.

Vlera e portofolit të kredisë të përfshirë në këto statistika përfshin huatë e dhëna nga të gjitha institucionet financiare jo-depozituese. Kjo do të thotë se nga ky klasifikim përjashtohen bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Klasifikimi përfshin të gjitha institucionet e tjera financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Megjithatë, mes tyre, vetëm institucionet financiare jobanka të huadhënies dhe mikrokredisë kanë si objekt të aktivitetit të tyre kreditimin. Prandaj, në pjesën dërrmuese, vlerësohet se ky portofol i takon këtyre subjekteve dhe mund të përdoret si një tregues i përafërt i ecurisë së kreditimit nga mikrofinanca.

Ky portofol nuk përfshin vetëm huadhënien konsumatore, por edhe huatë e dhëna për subjektet e biznesit. Nga ana tjetër, është e qartë se rritja e vrullshme e mikrokredisë konsumatore në vitet e fundit ka qenë shtysa kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë të institucioneve financiare jobanka.

Ngadalësimi i rritjes së portofolit në gjysmën e parë të këtij viti mund të interpretohet, të paktën pjesërisht, si efekt i masave shtrënguese të Bankës së Shqipërisë. Në fillim të vitit 2025, nisi aplikimi i asaj që u quajt “paketa mbrojtjes konsumatore të publikut”, veçanërisht në raport me produktet e mikrofinancës.

Banka e Shqipërisë miratoi disa masa që synonin të forconin kriteret e kreditimit nga institucionet mikrofinanciare dhe të shtonin transparencën e këtyre produkteve. Njëkohësisht, u ul çmimi maksimal i lejuar i huave të vogla konsumatore.

Sipas përfaqësuesve të sektorit të mikrofinancës, ndikimi i rregullave të reja në ngadalësimin e kreditimit dhe ngushtimin e bazës së klientëve ka qenë i prekshëm dhe i matshëm. Në veçanti, detyrimet për dokumentimin formal të të ardhurave, analiza e detajuar e shpenzimeve familjare dhe procedurat e reja të verifikimit kanë bërë që një grup i rëndësishëm klientësh tradicionalë të sektorit të mos plotësojnë më kriteret.

Sipas tyre, kjo ka prodhuar dy efekte kryesore:

  • Ulje të numrit të aplikimeve të kualifikuara për kredi.
  • Rritje të rrezikut të rikthimit të klientëve drejt huamarrjes informale, e cila është më e shtrenjtë dhe më pak e sigurt.

Burimi: BSH

Scroll to Top