Danimarka i kundërvihet Trumpit: Groenlanda nuk është në shitje

Kryeministrja daneze i kërkon Trumpit: Ndalojini kërcënimet për Groenlandën, nuk është në shitje

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka bërë thirrje publikisht presidentit amerikan Donald Trump që t’i japë fund “kërcënimeve” për blerjen e Groenlandës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të aneksojnë këtë territor.

“Nuk ka absolutisht asnjë logjikë në diskutimin rreth nevojës që Shtetet e Bashkuara të marrin Groenlandën. SHBA nuk ka të drejtë të aneksojë asnjë nga tre vendet e Mbretërisë Daneze,” deklaroi Frederiksen në një reagim zyrtar të publikuar në faqen e qeverisë daneze.

Ky reagim vjen pas publikimit në rrjetet sociale nga Katie Miller, bashkëshortja e një këshilltari të Trumpit, të një harte të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan dhe mbishkrimin “SOON”, veprim që ngjalli polemika të forta në Kopenhagë.

Frederiksen theksoi se Danimarka dhe Groenlanda janë pjesë e NATO-s dhe përfitojnë nga garancitë e sigurisë së aleancës. Ajo gjithashtu kujtoi marrëveshjen ekzistuese të mbrojtjes, e cila i jep SHBA-së akses ushtarak në Groenlandë. Kryeministrja shtoi se Danimarka ka rritur investimet në sigurinë e Arktikut.

“I bëj thirrje SHBA-së të ndalojë kërcënimet ndaj një aleati historik dhe ndaj një populli që e ka bërë shumë të qartë se nuk është në shitje,” tha ajo.

Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, Trump përsëriti qëndrimin e tij. Duke folur nga Air Force One, ai deklaroi: “Na nevojitet Groenlanda për arsye të sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk është në gjendje ta bëjë këtë.”

Ambasadori danez në SHBA gjithashtu reagoi, duke rikujtuar se dy vendet janë aleate dhe se Danimarka pret respekt për integritetin e saj territorial.

Donald Trump ka ngritur disa herë idenë e aneksimit të Groenlandës, duke përmendur pozicionin strategjik dhe pasuritë minerare të ishullit. Ai nuk ka përjashtuar as mundësinë e përdorimit të forcës.

Groenlanda, me rreth 57,000 banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në kompetencë të Danimarkës. Edhe pse shumica e groenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka, sondazhet tregojnë një kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me SHBA-në.

Scroll to Top