Venezuela: SHBA sulmon për burimet, thirrje për lirimin e Maduros

Përfaqësuesi i Venezuelës në OKB: SHBA-të po na sulmojnë për shkak të burimeve tona natyrore

Ndërhyrja ushtarake amerikane kundër Venezuelës është e paligjshme dhe synon burimet tona natyrore, deklaroi Përfaqësuesi i Përhershëm i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Sipas tij, ngjarjet e fundit përbëjnë një shkelje të qartë të Kartës së OKB-së. Moncada theksoi se “Venezuela iu nënshtrua një sulmi të armatosur nga Shtetet e Bashkuara pa asnjë bazë ligjore.” Ai paralajmëroi se aktualisht, në rrezik nuk është vetëm sovraniteti i Venezuelës, por edhe besueshmëria e së drejtës ndërkombëtare, autoriteti i OKB-së dhe parimi se asnjë shtet nuk mund të veprojë si arbitër i rendit botëror.

Diplomati venezuelian sqaroi se rezervat e naftës, burimet strategjike dhe pozicioni gjeopolitik i Venezuelës kanë qenë objektiv i ndërhyrjeve dhe interesave të huaja gjatë gjithë historisë.

Moncada i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë në përputhje me Kartën e organizatës. Ai gjithashtu kërkoi që Shtetet e Bashkuara të lirojnë menjëherë Nicolas Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, dhe t’i kthejnë ata shëndoshë e mirë në vendin e tyre.

Kujtojmë se në nëntor 2025, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, autorizoi operacione të fshehta nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës në Venezuelë. Pas disa muajsh përgatitjesh, natën e 3 janarit 2026, forcat speciale amerikane arrestuan Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, në kompleksin Fuerte-Tiuna në Karakas. Ata u evakuuan në një anije të Marinës Amerikane dhe u sollën në Nju Jork për t’u përballur me gjyqin për akuzat e narkoterrorizmit.

Scroll to Top