Investim 3 Milionë Euro në Nënstacionin Tirana 1

Energjia: 3 milionë euro për zgjerimin e nënstacionit Tirana 1

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) synon të zgjerojë nënstacionin Tirana 1 me një kosto rreth 3 milionë euro. Ky fond limit prej 293 milionë lekësh është shpallur këtë javë nga kompania publike për procedurën e re.

Kontrata ka për objekt “Zgjerimin e Nënstacionit Tirana 1 (Trakt i ri transformatori 220 kV, ndërtimi i seksionit të tretë 20 kV)” dhe përfshin një sërë ndërhyrjesh për të mundësuar këtë zgjerim.

Sipas dokumentacionit të procedurës, projekti parashikon zgjerimin e Nënstacionit Tirana 1 me një transformator 220/20 kV, 63 MVA, duke përfshirë bazamentin e ri përkatës, traktin 220 kV dhe seksionin e tretë 20 kV.

Konkretisht, plani përfshin:

  • Ndërtimin e një godine të re dykatëshe, e cila do të strehojë seksionin e tretë të ri 20 kV, si dhe hapësira për shërbime dhe magazinime të nevojshme për funksionimin e nënstacionit.
  • Zhvendosjen e traktit të hyrjes së linjës 220–3D, duke instaluar thika të reja 220 kV dhe duke riorganizuar përcjellësit sipas planimetrisë. Thikat ekzistuese të kësaj linje do të përdoren për traktin e transformatorit të ri.
  • Kablazhin e ri për thikat e zbrazjes në traktin e linjës 220–3D dhe thikat ekzistuese të traktit të ri të transformatorit 220/20 kV.
  • Ndërtimin e bazamentit të transformatorit 220/20 kV.
  • Ndërtimin e traktit të ri 220 kV për transformatorin 220/20 kV, 63 MVA.
  • Ndërtimin e kanalit të kabllove të kontrollit dhe fuqisë (380V, 230V AC dhe 220V DC) për traktin 220 kV.
  • Ndërtimin e seksionit të tretë me çelësa 20 kV në godinën e re, sipas skemës bashkëlidhur.
  • Ndërtimin e kanalit të kabllove të fuqisë 20 kV, i cili do të lidhë seksionin e tretë të ri 20 kV në godinën e re me seksionin e parë dhe të dytë ekzistues, në hapësirën ngjitur me seksionin ekzistues.
Scroll to Top