“`html
Vrasja që tronditi Elbasanin: Zbardhet dosja e ekzekutimit të Mondi Mëhallës
Emisioni “Në Shënjestër” në News24 ka hedhur dritë mbi vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, i cili u ekzekutua brenda makinës së tij “Range Rover” në Elbasan, pak pasi kishte dalë nga banesa e nënës së tij.
Mondi Mëhalla ishte një biznesmen që deri mbrëmjen e ngjarjes nuk kishte qenë i njohur publikisht. Ai u qëllua për vdekje pranë një karburanti në lagjen ‘Emin Matraxhiu’ në Elbasan, teksa ndodhej brenda automjetit të tij.
Ngjarja tronditi familjarët, veçanërisht motrën e tij, e cila u afrua e para drejt makinës ku gjendej i vëllai. Vrasësi arriti t’i afrohej pa u vënë re dhe ta godiste pa i lënë mundësi shpëtimi. Krimi, në kontekstin e qytetit ku bandat kanë pasur gjithmonë ndikim, ngriti menjëherë dyshime rreth figurës së viktimës, i cili njihej edhe nga policia si person me të kaluar jo të pastër.
Edmond Mëhalla, i njohur edhe me gjeneralitetin Hyka, kishte një biznes në Unazën Jugore të Elbasanit, aty ku edhe u vra. Pamjet filmike tregojnë një person të maskuar që i afrohet qetësisht dhe e qëllon pa hezitim.
Mëhalla thuhet se ishte mik i ngushtë me Kei Piun, një personazh me precedentë penalë të theksuar, i cili i shpëtoi një atentati në vitin 2020.
Viktima kishte në pronësi disa biznese, përfshirë ‘Hollyvood Lounge Bar’, një pikë karburanti të quajtur ‘Xhaxhi Oil’ dhe një kompani taksish me emrin ‘El Taxi’.
Hetimet fillestare u përqëndruan në të kaluarën problematike të viktimës, përfshirjen e tij në veprimtari të lidhura me drogën, si dhe afërsinë e vendit të krimit me vendin e një tjetër ngjarjeje të rëndë, masakrës ndaj Çapjave në vitin 2016. Gjithashtu, shqetësime kishin lindur nga bashkëpronësia në një nga bizneset, ku kishte pasur konflikt fizik me një ortak për shkak të një shume prej 700 mijë eurosh.
Dinamika e Krimit
Në datën 30 nëntor 2025, rreth orës 20:30, policia e Elbasanit mori njoftim për një vrasje pranë karburantit ‘Xhaxhi Oil’ në lagjen ‘Emin Matraxhiu’. Viktima u identifikua si Mondi Mëhalla, i cili u gjet i qëlluar brenda automjetit të tij ‘Range Rover’.
Policia mbërriti në vendngjarje, por viktima kishte ndërruar jetë.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes dhe automjetit, u gjetën disa gëzhoja kalibër 9 mm. Makina, në gjendje të ndezur, me dyer dhe xhama të mbyllur, tregoi se autori i ishte afruar dhe e kishte qëlluar teksa Mëhalla po bëhej gati të lëvizte.
Dosja Hetimore
Nga ekzaminimi i automjetit ‘Range Rover’, u konstatuan tre vrima hyrëse në xhamin e derës së shoferit, si dhe një vrimë dalje në anën tjetër të automjetit. Brenda makinës u gjet një telefon celular iPhone dhe në tapicerinë e derës së pasme të djathtë, një predhë arme zjarri.
Ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se 43-vjeçari ishte qëlluar në trup, në organe jetësore, dhe plagët rezultuan fatale.
Automjeti ‘Range Rover’ kishte goditur nga pas një tjetër automjet me ngjyrë të bardhë. Nga ekzaminimi i kornizës së derës së shoferit u gjetën dy gjurmë papilare.
Në morg, u konstatua se viktima kishte tre plagë depërtuese në pjesën torakale dhe dy plagë të tjera në afërsi të shtyllës kurrizore. Plumbat kishin prekur mushkëritë dhe pjesë të tjera.
Autori, pas krimit, dogji automjetin e përdorur, një ‘Audi’, të cilin e gjeti i shkrumbuar jo shumë larg vendit të ngjarjes, në zonën e Mirakës, në aksin Elbasan-Librazhd, vetëm 30 minuta pas ekzekutimit.
Brenda makinës së djegur u gjet edhe një armë pistolete e dëmtuar, dyshohet të jetë përdorur në vrasje, si dhe tre predha dhe tre gëzhoja.
Dyshimet dhe Ndalimet
Hetimet çuan në katër arrestime:
- Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortak me viktimën, akuzuar për “vrasje me paramendim në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
- Kujtim Pisha, 52 vjeç, roja i karburantit, akuzuar për “moskallëzim krimi”.
- Marsel Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në planifikimin e vrasjes.
Janë shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë, ekzekutori dhe ndihmësi i tij.
Hetimet u fokusuan edhe te pamjet filmike të kamerave të sigurisë, duke u verifikuar lëvizjet e automjetit ‘Audi’ A4 të zi, i përdorur në krim. Ky automjet u konstatua të lëvizte shpesh në aksin Lezhë-Thumanë dhe Thumanë-Kashar midis datave 23 dhe 29 nëntor.
Rolando Gjoni, 27 vjeç, banues në Lezhë, i cili udhëtonte me këtë makinë, tregoi për grupin hetues poseduesin e vërtetë, Armando Kola, të cilit ia kishte kthyer makinën një ditë para krimit.
Rolando Gjoni dëshmoi se Armando Kola i kishte komunikuar se një person do ta merrte makinën, pasi ai nuk mund ta ndryshonte pronësinë. Kjo makinë iu dorëzua tre shtetasve: Nevzat Spaho, Marselo Arani dhe Oklid Ndino EL Ouejdi, në Tiranë, pranë parkingut të një pallati. Njëri prej tyre rezultoi të ishte ortak i ngushtë me viktimën.
Në dëshminë e tij, Xhino Ago, i cili kishte qenë ortak me Mondi Mëhallën në një kompani taksish, deklaroi se ditën e ngjarjes ishte takuar me viktimën dhe kishin pirë kafe së bashku. Ai pretendoi se ishte ndarë nga Mëhalla rreth orës 13:00 dhe më pas u largua. Megjithatë, hetuesit vunë re mospërputhje kohore në dëshminë e tij.
Babai dhe nëna e Xhino Agos dhanë dëshmi të ngjashme, por edhe ata paraqitën disa të dhëna kontradiktore në lidhje me lëvizjet e djalit të tyre.
Edhe U.T, kunati i Xhino Agos, dha deklarime, por pa ofruar të dhëna me interes për hetimin.
“`
