Tregu i Vlorës merr jetë: FSHZH shpall fituesin e projektit 1.4M€

Projekti për Tregun e Vlorës: FSHZH shpall fituesin e kontratës prej 1.4 milionë eurosh

Tregu i Vlorës dhe rrugicat përreth tij, të vendosura pranë qendrës historike, do t’i nënshtrohen transformimit përmes një projekti të implementuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH).

FSHZH ka shpallur së fundmi fituesin e kontratës me objekt: “Investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi, etj. Faza III, Rajonet 3&4: Tregu Vlorë – Faza 2”.

Kompania fituese është T&Xh, me një ofertë prej 139 milionë lekësh, ose rreth 1.4 milionë euro.

Çfarë parashikon projekti?

Projekti fokusohet te tregu tradicional i Vlorës, i cili ndodhet përballë Qendrës Historike, pranë rrugëve “Justin Godard” dhe “Jani Minga”, rreth 500 metra në lindje të sheshit “Pavarësia”. Ky treg i vjetër përfshin tezga me fruta, perime, produkte artizanale dhe rroba.

Ndërhyrja përfshin rrugicat tregtare, sheshin dhe merkatën, sheshin numër 2 të Kinoteatrit, si dhe rivitalizimin e hapësirës së trotuarit dhe sheshit para postës.

Detaje mbi ndërhyrjet:

  • Pjesa e parë: Synohet unifikimi vizual dhe funksional i sipërfaqeve, të cilat do të mbulohen me beton. Betoni i pigmentuar do të aplikohet kryesisht në zonat e Sheshit të Kinoteatrit dhe të Markatës, për të rritur atraktivitetin vizual dhe për të krijuar hapësira rekreative, përveç funksionit tregtar. Betoni i papigmentuar do të përdoret në zonat e tjera të brendshme për të ruajtur uniformitetin dhe qëndrueshmërinë.
  • Sheshi dhe trotuaret përreth Postës: Propozohet shtrimi me pllaka terrakote, në vijimësi me projektin aktualisht në zbatim në zonë. Kjo ndërhyrje është në përputhje me projektin “Bulevardi i Jacarandave” të FSHZH-së, i cili parashikon zgjerimin e trotuarit në anën perëndimore të bllokut.
  • Rrugicat tregtare: Zona është konceptuar dhe studiuar në katër module kryesore (Rrugica A, Rrugica B, Rrugica C dhe Rrugica D) për analizimin e veçantë të secilit segment sipas karakteristikave funksionale dhe hapësinore.
  • Merлата e hapur: Parashikohet të jetë në formë eliptike, me skelet mbajtës metalik dhe veshje prej druri.
  • Sheshi i dytë i Kinoteatrit: Rivitalizimi do të fillojë me restaurimin e gjendjes ekzistuese dhe më pas do të shtohet një kat mbi strukturën ekzistuese.
  • Sheshi para Postës: Do të ruajë të njëjtën logjikë si vazhdim i projektit “Bulevardi i Jacarandave” të zbatuar nga FSHZH.
Scroll to Top