Berisha kërkon gjendje të jashtëzakonshme për përmbytjet

Përmbytjet: Berisha kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pyet pse Rama shmang këtë masë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka kërkuar qeverisë që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në qarqet e prekura nga përmbytjet, të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut.

Nga selia blu, Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore vetëm sepse, sipas tij, nuk dëshiron të dëmshpërblejë mijëra familje të prekura.

“Mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet. Vetëm në Durrës janë dëmtuar 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë tepër të mëdha, por nuk është vetëm rasti i Durrësit”, theksoi ai.

“Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këto zona. Nëse Rama nuk e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarqet e prekura, e bën këtë vetëm sepse ligji e detyron t’u përgjigjet një për një dëmeve të krijuara nga fatkeqësia natyrore”, shtoi Berisha.

Scroll to Top