Berisha: 42 milionë eurot e alokuara për mbrojtjen e Durrësit nga përmbytjet janë vjedhur
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se 42 milionë euro nga paratë publike, të alokuara për mbrojtjen nga përmbytjet në Durrës, janë vjedhur, duke sjellë kështu qytetin në një situatë katastrofike.
Berisha akuzon qeverinë për korrupsion, duke theksuar se hidrovoret e Porto Romanos dhe Hamallajt nuk kanë funksionuar siç duhet, ndërsa kanalizimet e qytetit janë të bllokuara për shkak të mosmirëmbajtjes dhe grabitjes së fondeve. Sipas tij, për shkak të kësaj situate banorët kanë mbetur të pambrojtur përballë ujërave.
“Pa diskutim që këto kanë qenë shira shumë intensive, por Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë. Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim. Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra. E kuptoni se kur fillon të funksionojë ai? Mbi 70 centimetra. Pra le të përmbyten një herë 70 centimetra, pastaj të fillojë të evakuojë ujërat. Kurse hidrovori i Hamallajt prej 8 muajsh i ka pompat jashtë funksionit. Përveç kësaj, Durrësi, territori i përmbytur, ka një sistem kanalizimesh shumë të studiuar dhe mirëprojektuar. Kanalet janë që të gjitha të zëna sepse paratë e caktuara për pastrimin e tyre janë vjedhur dhe vetëm vjedhur nga mafia qeveritare e Durrësit dhe Tiranës. Ajo dramë që shohim ne sot, ajo vërtet ka si shkak natyror dhe ndaj unë kërkoj shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por këto përmasa nuk i merrte kurrë në qoftë se do ishin në gatishmëri dhe funksion hidrovoret, të cilët janë të përllogaritur për të mbrojtur zonat nga përmbytjet dhe në qoftë se do funksiononte sistemi i tyre i kanalizimeve. Nga Vora gjer në bregdet shtrihet sistemi i kanalizimit që synon të mbrojë ato territore nga përmbytja. Por kanalet janë fiktive, janë të bllokuara, janë të askujt pasi narkoshteti është shteti i mafies dhe ka vetëm interesat e mafies”, tha Berisha.
