Ligj i ri industrial: Mbrojtje më e fortë për sekretet e biznesit

Ligji i ri industrial: Mbrojtje më e fortë për sekretet e biznesit dhe luftë kundër spiunazhit

Spiunazhi industrial nuk do të mbetet më i pandëshkuar. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të së drejtës industriale, sekretet tregtare dhe informacioni i pazbuluar kthehen në një vijë të kuqe ligjore, shkelja e së cilës sjell pasoja të rënda financiare dhe juridike.

Ligji vendos një regjim të qartë mbrojtjeje për bizneset dhe inovatorët, duke synuar çdo përfitim, përdorim apo zbulim të paligjshëm të informacionit konfidencial.

“Kushdo që përfiton nga një sekret industrial, duke e ditur ose duke pasur detyrimin ta dijë se veprimi është i paligjshëm, do të mbajë përgjegjësi të plotë.” – thuhet në relacionin e projektligjit, megjithëse nuk specifikon dënimin.

Një risi e rëndësishme është harmonizimi i kuadrit ligjor me standardet e CEFTA-s, ku specifikohet se pala e dëmtuar fiton të drejtën të kërkojë kompensim të plotë për dëmin e pësuar.

“Autoritetet do të detyrojnë shkelësin të paguajë jo vetëm humbjet ekonomike dhe fitimet e humbura, por edhe çdo përfitim të padrejtë të realizuar nga veprimi i paligjshëm. Kur është e nevojshme, në llogaritjen e dëmeve përfshihet edhe dëmi moral dhe goditja ndaj reputacionit të mbajtësit të sekretit.” – thuhet më tej në relacionin e projektligjit, i cili është në fazë shqyrtimi në Kuvend.

Gjatë përcaktimit të dëmshpërblimit, ligji kërkon që të merren parasysh të gjithë faktorët relevantë, përfshirë:

  • Pasojat negative ekonomike për palën e dëmtuar.
  • Fitimet e humbura si rezultat i shkeljes.
  • Çdo përfitim i padrejtë i realizuar nga shkelësi.
  • Elementë joekonomikë, si paragjykimi moral dhe dëmtimi i reputacionit, kur këto janë të aplikueshme.

Ky projektligj pritet të ofrojë një mbrojtje ligjore më të fortë për kompanitë dhe inovatorët kundër praktikave të spiunazhit industrial.

Scroll to Top