Mediat heshtin për denoncimet e Ahmetajt, kritika për regjimin

Censura: Televizionet kombëtare heshtin për denoncimet e Arben Ahmetajt

Asnjë fjalë nuk u tha në të gjitha edicionet e drekës për raportimet apo kundërshtimet e ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj.

Një urdhër i pashkruar duket se ka detyruar të treja televizionet kombëtare t’i nënshtrohen kodit të heshtjes (omerta) lidhur me denoncimet e bëra nga Arben Ahmetaj në emisionin “Çim Peka Live”. Portali Lapsi.al ka monitoruar me vëmendje emisionet e tyre të drekës.

Top Channel, pas rreth 10 minutash për lajme rreth përmbytjeve, kaloi te kontrollet që do të kryhen ndaj biznesmenëve të lidhur me Ballukun. Më pas, transmetimi vijoi me tryezën e opozitës, duke mos përmendur asnjë fjalë nga zbulimet e bëra nga një nga dëshmitarët më jetëgjatë të qeverive të Ramës (2013-2022).

Po ashtu, edhe Klan, në edicionin e orës 15:30, mbajti një renditje të ngjashme. Përparësia iu dha ngjarjeve të lidhura me Berishën, ndërsa lajmi për urdhrin e gjykatës për kontrolle ndaj personave të lidhur me Ballukun u anashkalua. Lajmet e Klanit pasqyruan edhe polemikën e sajuar nga Rama me Fevziun, sikur donte të sugjeronte se të enjten në mbrëmje nuk kishte ndodhur asgjë tjetër. Megjithatë, si Top Channel edhe Klan, vepruan njëlloj, duke bërë sikur Ahmetaj nuk kishte folur fare.

Ky kod heshtje nuk mund të shpjegohet thjesht me xhelozi për “scoop-et” e konkurencës. Ai lidhet me vetëpërdorimin vullnetar të këtyre mediave si altoparlantë të regjimit të Ramës. Si gjithmonë, në këtë shërbim vullnetar, më me zell u shërbyen mediat e Karlo Bolinos, të cilat nuk u mjaftuan me censurën, por kundërsulmuan ish-zv/kryeministrin si një pushtetar që linte paratë në kazino.

E gjithë kjo situatë sureale ka një sfond të saj. Jo më kot, në të gjitha pasqyrimet për gjendjen e mediave në Shqipëri, organizata “Reporterët pa Kufij” thekson përqendrimin e pushtetit në disa duar pronarësh që përfitojnë kontrata dhe punë publike, siç është vërtetuar edhe nga dosjet e fundit të SPAK.

Edhe në raportin e fundit të OSBE ODHIR për zgjedhjet, theksohej se “katër pronarët kryesorë kontrollojnë 72% të të ardhurave të tregut të transmetimeve dhe 87% të audiencës. Shumica e mediave të mëdha janë ‘të perceptuara si të lidhura me Partinë Socialiste në pushtet'”. Raporti vijonte duke shtuar se “ndërhyrjet e përhapura nga pronarët e mediave në autonominë redaksionale… ndikojnë negativisht në informacionin që i ofrohet publikut.”

Pikërisht kjo ka ndodhur edhe në këtë rast, për të sfumuar denoncimet e personit që qëndroi një dekadë pranë Ramës në pushtet dhe të cilit tashmë i janë vërtetuar deklarimet e mëparshme lidhur me Tunelin e Llogarasë apo AKSH-in.

©Lapsi.al

Scroll to Top