PD Korçë u dërgon mesazh anëtarëve për takimin e nesërm të Salianjit: I shërben interesave të Ramës, bashkëpunon me krimin
Publikuar më 09.01.2026 nga shekulli_admin
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka njoftuar takimin e radhës me demokratët dhe mbështetësit e tij. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji ka bërë të ditur se takimi do të zhvillohet nesër në Korçë, në orën 17:00, në ambientet e Kinema Majestik.
Një reagim i fortë politik ka ardhur nga Dega e Partisë Demokratike në Korçë, e cila ka dalë publikisht kundër takimit të paralajmëruar nga Ervin Salianji. Dega e PD Korçë e ka cilësuar këtë veprim si privat dhe në kundërshtim me vijën zyrtare të Partisë Demokratike. Sipas deklaratës, ky aktivitet shihet si i dëmshëm për partinë dhe se i shërben interesave politike të kryeministrit Edi Rama. Në këtë vijë, anëtarëve u bëhet thirrje të distancohen nga çdo përfshirje.
NJOFTIMI I PD KORÇE
I dashur anëtar i PD Korçë,
Sot, Ervin Salianji, i vetëpërjashtuar nga PD për shkak se ka shkelur vijën e kuqe të përcaktuar në statutin e PD-së, duke bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe duke spekuluar në emër të PD-së, po përpiqet të organizojë një takim me një agjendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike, madje një agjendë që bie ndesh me të.
Dega e PD Korçë ju bën thirrje juve, si anëtar i degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat vetëm axhendës së Edi Ramës dhe pushtetit të tij.
Ju faleminderit.
