Regjimi i Iranit shtyp protestat, 50 protestues të vrarë dhe interneti i mbyllur në mbarë vendin
Që nga 28 dhjetori, 50 protestues janë vrarë në Iran në fillim të valës së mobilizimeve kundër pushtetit, njoftoi një organizatë joqeveritare. Organizata Iran Human Rights, me seli në Norvegji, raportoi se të paktën 51 protestues, përfshirë 9 të mitur nën 18 vjeç, kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë dy javëve të para të protestave në të gjithë vendin.
Mbyllja e internetit zgjat më shumë se 24 orë
Ndërkohë, mbyllja e internetit në shkallë kombëtare, e vendosur nga autoritetet iraniane si pasojë e protestave, ka kaluar 24 orë. Sipas organizatës Netblocks, e cila monitoron sigurinë kibernetike, lidhshmëria e internetit është reduktuar në vetëm 1% të nivelit normal.
Apel nga djali i ish-shahut të Iranit drejtuar Donald Trump
Mediat e huaja raportojnë se djali i ish-shahut të Iranit dhe figurë opozitare në mërgim, Reza Pahlavi, i ka kërkuar Donald Trump të ndërhyjë menjëherë në Republikën Islamike, ku një lëvizje sfiduese kundër pushtetit po zgjerohet. Pahlavi ka shkruar në rrjetet sociale: “Zoti President, ky është një apel urgjent dhe i menjëhershëm me të cilin kërkoj vëmendjen, mbështetjen dhe veprimin tuaj.”
Reza Pahlavi, i cili jeton pranë Uashingtonit, nuk ka specifikuar llojin e ndërhyrjes që priste nga presidenti amerikan, por ka argumentuar kërkesën e tij duke iu referuar vendimit të autoriteteve iraniane për të ndërprerë aksesin në internet dhe represionin ndaj protestuesve.
“Unë i bëra thirrje qytetarëve të dalin në rrugë për të luftuar për lirinë e tyre dhe për të tronditur forcat e sigurisë me numrin e tyre. Kjo është ajo që ata bënë mbrëmë. Kërcënimet tuaja ndaj këtij regjimi kriminal gjithashtu i kanë mbajtur larg banditët e regjimit. Megjithatë, koha është e ngutshme. Qytetarët do të dalin sërish në rrugë pas një ore. Kërkoj ndihmën tuaj,” u shpreh ai duke iu drejtuar Donald Trump.
Presidenti amerikan ditën e djeshme kishte kërcënuar se do të godiste Iranin “shumë fort” nëse autoritetet do të reagonin duke vrarë protestuesit.
Pas dy javësh të një lëvizjeje që filloi me protesta për koston e jetesës, vala e pakënaqësisë po fiton terren dhe po përbën një sfidë serioze për Republikën Islamike, e cila ka qeverisur që nga viti 1979.
