Protestat në Iran përshkallëzohen: Qeveria ndërpret internetin për 24 orë, bankomatet jashtë funksioni
Irani është përfshirë nga protesta masive, ku mbi 50 persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve me policinë.
Sipas BBC, qeveria iraniane ka konfirmuar ndërprerjen e internetit, e cila vijon prej 24 orësh. Ky vendim vjen pas protestave antiqeveritare që shpërthyen në të gjithë vendin.
Ministria e Komunikimit e qeverisë deklaron se vendimi u mor nga “autoritetet e sigurisë” për shkak të “kushteve mbizotëruese në vend”.
Platformat kryesore të mediave sociale, duke përfshirë Telegram, X, Facebook dhe Instagram, janë zyrtarisht të bllokuara në Iran.
Ndërprerja e internetit ka sjellë pasoja edhe për sistemin bankar, duke bërë që bankomatet të mos funksionojnë. Kjo gjendje mungese lidhjeje parandalon aksesin në para të gatshme dhe vështirëson pagesat në dyqanet ku kartat e debitit nuk mund të përdoren.
