Itali, shqiptar i arrestuar me 100 kg lëndë narkotike, të cilën e kishte groposur në kopshtin e shtëpisë
Policia italiane ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, duke përfshirë 70 kilogramë hashash, rreth 30 kilogramë kokainë dhe mbi 3 kilogramë heroinë. Ky operacion u zhvillua në Teramo, pas një bastisjeje në një banesë në Nereto, Abruzzo.
Sasia e lëndës narkotike iu gjet një shtetasi shqiptar. Sipas raportimeve, në shtëpinë e tij u zbulua një qendër e vërtetë droge. Hashashi dhe heroina ishin fshehur në një dhomë që shërbente si depo për veglat.
Një pjesë e kokainës u gjet e groposur brenda daulleve në kopshtin e shtëpisë. Prokuroria vlerëson se lënda narkotike ishte përgatitur për t’u shitur palëve të treta.
Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu 30 kilogramë substancë prerëse, peshore (si tradicionale ashtu edhe dixhitale), një makinë për vakum, një shtypëse hidraulike dhe materiale për paketimin e lëndëve narkotike.
