Moti i keq/ Disa fshatra në Korçë pa energji elektrike
Në Qarkun e Korçës, kushtet atmosferike të vështira kanë sjellë probleme të vazhdueshme, kryesisht lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën rrugore.
Sipas OSHEE-së:
- Fideri 9 në NST Lozhan është pjesërisht pa energji, duke prekur rreth 400 abonentë ruralë. Gjithashtu, 5 kabina në zonat Leshec dhe Maliq–Opar janë jashtë funksioni, si dhe 3 abonentë ruralë.
- Fideri 14 në NST Petrushë ka lënë pa energji zonat Dardhas, Prenisht dhe Grunjaz, duke prekur rreth 400 abonentë ruralë.
- Rreth 700 abonentë urbanë në zonat Garnizon, Goricë dhe Gurore të Pogradecit, të furnizuar nga fideri 20 “Ushtria” në NST Pogradec, janë gjithashtu pa energji.
- Në zonën e Gurit të Kuq, fideri Potgozhan ka ndërprerë furnizimin për zonat Bishnicë, Jollë, Tallë dhe Lëngë, duke prekur rreth 100 abonentë ruralë.
- Fideri JO6 në NST Leskovik është i stakuar për shkak të një defekti dhe ka lënë pa energji 257 abonentë ruralë në zonat Podë, Postenan, Peshtan, Gjirakarë, Radovë, Lashovë, Vrespkë, Radanj, Shalës dhe Germenjë.
Ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për riparimin e defekteve. Të gjithë fiderat që furnizojnë konsumatorë me rëndësi të veçantë janë funksionalë dhe Hidrovori i Pogradecit vijon të punojë normalisht.
Në Bashkinë Kolonjë, janë pastruar rrugët rurale në Sokorovot, Kreshovë, Lavdar, Lahollarë, Strajë dhe Psar. Në qytetin e Ersekës, është pastruar sheshi “Rilindja” dhe janë kriposur akset rrugore për parandalimin e ngricave. Po vlerësohet nevoja për ndërhyrje në segmentin rrugor drejt fshatit Shemetirë dhe në rrugën rurale të fshatit Gjonç.
Në Bashkinë Maliq, vijon problematika e çarjes së argjinaturës së Lumit Devoll, ku ndërhyrja për momentin është e pamundur. Rrëshqitje dherash dhe probleme të tjera janë evidentuar në zonën e Kakaçit, ndërsa ura e fshatit Osojë kërkon investim dhe ndërhyrje të mëtejshme. Pastrimet e rrugëve rurale po vazhdojnë dhe situata monitorohet nga Emergjencat Civile dhe Bashkia.
Në Bashkinë Devoll, janë hapur dhe kriposur rrugët në Njësinë Administrative Miras, ndërsa qarkullimi në rrugën Vidohovë–Miras është normalizuar. Janë kryer riparime në argjinaturën e lumit Oshticë dhe është bërë sistemimi i lumit në fshatin Përparimaj për parandalimin e përmbytjeve. Rruga Grapsh–Përparimaj është kthyer në funksion normal.
Në Bashkinë Pustec, po punohet për pastrimin e përroit të Gorricës dhe për riparimin e segmentit rrugor Lajthizë–Liqenas.
Bashkia Korçë nuk raporton problematika si pasojë e reshjeve të shiut, ndërsa për rrugën e fshatit Denas janë marrë masat dhe ndërhyrja do të realizohet pas uljes së nivelit të ujit.
Në Bashkinë Pogradec, problematika kryesore mbetet Lumi i Verdovës, ku një pjesë e karrexhatës është shembur dhe qarkullimi kryhet vetëm në një korsi. Lumi Remenj është stabilizuar dhe po vlerësohet një zgjidhje përfundimtare, ndërsa lumi i qytetit ka shkaktuar dëme dhe kërkon ndërhyrje. Sipas ARRSH, Drejtoria Qendër-Lindje, rruga e Dardhasit është kalueshme provizorisht dhe po priten konkluzionet e specialistëve gjeologjikë. Në fund të fshatit Çërravë, është konstatuar një rrëshqitje dherash që rrezikon një banesë të banuar.
