Tregu u dogj aksidentalisht, del ekspertiza zyrtare
Një shkëndijë elektrike dyshohet se ishte shkaku fillestar i nisjes së zjarrit në tregun industrial tek ish-uzina Dinamo. Megjithatë, përhapja masive e tij në pak minuta dhe shkrumbimi i 3 kapanoneve ndodhi për shkak të mosplotësimit të kritereve të godinës për mbrojtjen nga zjarri.
Gjatë një inspektimi të kryer në vitin 2025, ky objekt ishte gjobitur dhe i ishin lënë detyra, të cilat nuk u plotësuan, duke sjellë pasoja të rënda.
“Nuk i plotësonte kriteret për të qenë një treg. Dyqanet ndaheshin me llamarina. Instalimet elektrike nuk ishin hermetike,” u shpreh zjarrfikësi Arben Cara.
Operacioni i fikjes së këtij zjarri të madh ishte një sfidë e vështirë për shkak të strukturës së objektit, por edhe të rrezikshmërisë që paraqisnin dyqanet që tregtonin gaz dhe parfume.
“Çatia ishte e njëjta dhe zjarri përhapej shpejt. Kishte rrezik për shpërthim sepse kishte dyqan me bombola dhe parfume që rrezikonin jetën e zjarrfikësve dhe njerëzve përreth,” shton Cara.
Për të shmangur situata të përmasave të tilla, sipas zjarrfikësit, bizneset duhet të kenë parasysh disa këshilla:
- Të fikin energjinë elektrike kur mbyllin biznesin.
- Të bëjnë instalime elektrike cilësore.
- Të kenë kujdes nga cigarja.
Për shkrumbimin e mbi 50 bizneseve me një dëm të konsiderueshëm monetar, policia dhe prokuroria e Tiranës kanë çelur një hetim, ku nga të dhënat e deri tanishme ngjarja po trajtohet si aksidentale.
