Paraqitet sërish në SPAK zyrtari që tentoi ta hakerojë atë
Ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, është paraqitur sot në SPAK. Ai është nën hetim për sulmin kibernetik ndaj institucionit të drejtësisë.
Hetimi ndaj Ismailit po zhvillohet për veprat penale:
- “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”
- “Grup i strukturuar kriminal”
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”
Sistemi kompjuterik i SPAK u sulmua më 12 mars dhe u zbulua disa ditë më vonë. SPAK bëri me dije më 3 prill se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrjeje të paligjshme të adresave të email-ve të prokurorëve të posaçëm. Në njoftim nënvizohej se nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme.
Sipas SPAK, autorët kishin arritur të merrnin disa informacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Gjithashtu, sipas njoftimit të SPAK, u tentua të ndërhyhej edhe në email-in e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Në hetimet e para u identifikuan si përgjegjës dy persona, të cilët u arrestuan: ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjoni dhe ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj. Dy të arrestuarit dyshohet se u kanë shpërndarë të dhënat edhe personave të tjerë, të cilët po verifikohen për rolin e tyre në këtë ngjarje.
