Monika Kryemadhi sërish në SPAK
Ish-kryetarja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është paraqitur këtë të hënë në SPAK, duke iu përmbajtur vendimit të gjykatës për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Muajin korrik, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale kundër ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Ata janë akuzuar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas SPAK, Ilir Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.
Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë edhe akuzat për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, si dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
